Tregu bujqësor në Sarandë: I preferuar për blerje të familjarëve

Nga Thoma Nika

Ky është i vetmi treg në Sarandë, ku, në mënyrë të organizuar, ofrohen çdo ditë prodhime bujqësore, aq të kërkuara e të nevojshme për kuzhinën dhe tryezën familjare.

Shkuam atje kur ende ishin orët e mëngjesit. Dhe gjetëm blerës të imteresuar për shumëllojshmëri prodhikesh, duke nisur nga perimet, te djathërat e te vaji i ullirit, nga ullinjtë te fiqtë e thatë, tek mjalti e pijet.

Takuam edhe fshatarë që vinin të merrnin qepujkat për mbjelljet e reja, për t’i sjellë pastaj, ndoshta këtij tregu, qepën e njomë të prodhuar prej tyre.

Surpriza e ditës ishte se në këtë treg një çift gjerman ishte duke blerë me provë djathin vendas, për të cilin thanë se u shijon shumë.

Disa prej tregtarëve që takuam, na thanë jashtë kamerës se nuk ishin të kënaqur me blerjet.

Ndërsa për Fatbardha Nesturin, një nga tregtaret themeluese të këtij tregu, është e njohur që dy muajt e parë të vitit, janë me “xhiro të ulët”.

E këtë e lidh me mungesën e blerësit të huaj.

Megjithëse llojshmëria dhe çmimet e produkteve, janë të përafërta me ato supermarketeve, tregtarja me eksperiencë prej 3 dekadash, veçon freskinë si avantazh të parë të prodhimeve të tregut bujqësor.

Tregu i Sarandës është një mundësi punësimi për dhjetëra familje sarandiote. Blerësit gjithashtu janë kryesisht familjarë, të cilët i drejtohen këtij tregu, të mësuar se këtu gjejnë prodhime vendi dhe në gjendje të freskët.