Të mbetur pa troje, Këshilli Bashkiak i Sarandës i përcjell pa zgjidhje
Nga Thoma Nika
E para pikë e rendit të ditës në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Sarandës për 2025, ishte halli 25-vjeçar i qindra qytetarëve sarandiotë, të bërë pronarë nga Bashkia dhe të shpronësuar nga Gjykata, me vendimin e saj që ligjëroi një ish-pronar në zotërim të sipërfaqes që përfshin 800 sheshe të dhëna qytetarëve për ndërtim.
Një përfaqësi e qytetarëve të cenuar nga ky tjetërsim prone, paraqitën edhe përpara këshilltarëve, pretendimet e tyre.
Disa nga argumentet e tyre për ngërçin 25 vjeçar, ata i thanë përpara kamerës së RTSH Gjirokastra.
Pas dëgjimit të përfaqësisë së qytetarëve, Mbledhja e Këshillit Bashkiak vijoi mes tensionimit dhe replika të ndërsjella mes këshilltarëve, të cilët u ndanë në palë që kërkuan të dëgjoheshin nënkryetari i Bashkisë i ngarkuar me lidhjen e kontratave për trojet, si dhe drejtorja juridike e drejtori i urbanistikës, por kjo nuk ndodhi. Të tjerë kërkuan që, në kushtet kur administrata nuk ka mundur të sjellë në tryezën e këshilltarëve informacionin e kërkuar nga administrata, të dalë përgjegjësia dhe çështja t’i kalojë rendit të ditës së një mbledhjeje tjetër, të përgatitur me seriozitet. Këtë ka kërkuar edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Këshilltari Gjergj Ymeri.
Këshilltari i pavarur Ibrahim Barjami pas replikave të nxehta që shkëmbeu me kolegë dhe me Kryetarin e Këshillit Bashkiak Asaf Stroka, ka braktisur mbledhjen, duke vënë në pikëpyetje kuorumin e pjesëmarrjes.
Diskutimi rreth zgjidhjes së shumëpritur mbi fatin e më shumë se 800 qytetarëve sarandiotë, të mbetur pa trojet e dhëna për ndërtim nga qeverisje vendore të mëparshme, u mbyll me hedhjen në votim të propozimit për ta kaluar në mbledhjen pasardhëse. shumica e këshilltarëve.
Më shumë se 800 trojet e ndodhura poshtë Kalasë së Lëkurlsit, të tjetërsuara me vendim të gjykatës së Sarandës, u ishin dhënë qytetarëve sarandiotë me vendime të Këshillit Bashkiak të vitit 1999. Mjaft prej qytetarëve të pajisur me vendime të Bashkisë së 25 viteve më parë, kanë kryer investime atje, përveç pagesave të derdhura në financat e Bashkisë. Prej tyre pritet që t’u njihen shpenzimet e kryera dhe t’u lidhen kontrata për kompensim me troje të tjera, në sipërfaqe që disponohen brenda territorit të Bashkisë së Sarandës.