Restaurimi i skulpturave, Ilirjan Dalanaj po restauron skulpturat buzë shëtitores së Sarandës
Janë tri vepra skulpturore, të vendosura buzë shëtitores së Sarandës shumë dekada më parë. Busti i Hasan Tahsinit, skulptura “Vjelëset e Agrumeve” dhe “Arkeologia”. Dëmtimet e lëna nga koha mbi këto skulptura të kohës së komunizmit, kanë nxitur sipërmarrjen e skulptorit tashmë në pension, Ilirjan Dalanaj, i cili ka marrë edhe mbështetjen e nevojshme nga Bashkia.
“Të gjitha të punuara në beton të derdhura në çimento të bardhë nga koha janë plasaritur dhe nevojitet ndërhyrje”, u shpreh skulptori, Ilirjan Dalanaj.
E nisi ndërhyrjen restauruese nga busti i Hasan Tahsinit, me autor mjeshtrin Janaq Paço vendosur aty plot 57 vite më parë. U ndal te “Vjelëset” e autorit sarandjot Lesko Ligu dhe tani po i rikthen vlerat Arkeologes së mikut të tij, Apostol Londo.
“Tani kanë një vlerë tjetër, u bënë në kushte të tjera me shumë dashuri”, u shpreh skulptori.
Veçon prej kësaj trashëgimie skulpturash të kohës së monizmit Basorelievin e Naim Frashërit, me autor skulptorin e parë të Sarandës, Niko Godroli. Vetëm tek ajo, thotë Iliri, koha nuk ka mundur të tjetërsojë asgjë.
“Është një skulpturë shumë ë bukur e skalitur në gurë para shumë vitesh, asaj nuk i ka ikur asgjë, as ngjyra, as forma”, u shpreh Dalanaj.
Edhe disa ditë punë i duhen akoma restauratorit të skulpturave të kohës së komunizmit, për t’i gjetur në gjendjen më të mirë të mundshme hyrja në sezonin turistik 2025.