EKSKLUZIVE/ “Luftë” për dominim politik: Ina Zhupa dhe Manjola Nikollo drejt përplasjeve në garën e primareve
Në Partinë Demokratike të Sarandës pritet të zhvillohet një garë e nxehtë për primaret mes deputetes aktuale Ina Zhupa dhe ish-kryetares së degës lokale, Manjola Nikollo. Burime pranë strukturave të PD Sarandë bëjnë të ditur se të dyja figurat janë konfirmuar si kandidate për të fituar të drejtën për të përfaqësuar këtë zonë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Gara mes Zhupës dhe Nikollos shihet si një përplasje e fortë jo vetëm për shkak të ambicies personale, por edhe për ndikimin e tyre në bazën demokrate të Sarandës.
Ina Zhupa, aktualisht deputete dhe një zë aktiv i opozitës në Parlament, ka fituar mbështetje për qëndrimet e saj të forta dhe angazhimin në kauzat e PD-së në nivel kombëtar.
Nga ana tjetër, Manjola Nikollo, me një eksperiencë të gjatë në drejtimin e degës lokale të PD-së, njihet për lidhjet e saj të forta me strukturat vendore dhe për kontributin e saj në organizimin e partisë në këtë zonë.
Pavarësisht se të dyja palët kanë deklaruar gatishmërinë për një garë të ndershme, burime nga brenda PD-së tregojnë për tensione të mundshme dhe ndasi mes mbështetësve të tyre. Një përplasje e tillë mund të ndikojë në unitetin e partisë në Sarandë, veçanërisht në një moment kur PD synon të rikthejë besimin e elektoratit.
Zhvillimet në këtë garë pritet të mbeten në qendër të vëmendjes, me pritshmëritë për një përballje dinamike mes dy figurave të rëndësishme të kësaj force politike në Sarandë. /Sarandanews.com/