Greqia nderon Anastas Janullatos: Mitsotakis e Beleri të pranishëm
Ditën e sotme në Mitropolinë e Athinës po kremtohet Liturgjia Hyjnore para trupit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta një ditë më parë ( e shtunë 25 janar). I pranishëm do të jetë edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, presidenti i PASOK, Nikos Androulakis dhe eurodeputeti Fredi Beleri.
“Ai ishte njëkohësisht një udhëheqës shpirtëror dhe një shërbëtor aktiv i njerëzimit dhe i të drejtave të tij. Herë si ndihmës i fëmijëve të Afrikës dhe herë si mbështetës i studentëve grekë që i rezistuan diktaturës. Ndërsa zëri i kryepeshkopit mund të jetë heshtur, ai do të transmetojë përgjithmonë mesazhe të jetës dhe të bashkëjetesës paqësore”,-u shpreh kryeministri grek, duke e cilësuar Anastasin si një pionier të kishës në Shqipëri.
Liturgjinë Hyjnore do ta kryesojë nënkryetari i Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Nafpaktos dhe i Shën Vlasit, Jerotheosi. Pas përfundimit të saj, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, do të mbajë një shërbesë për shpirtin e të ndjerit.