Sa do të jetë bonusi për pensionistët në pranverë? Zbardhet vendimi i Qeverisë: Nga 5 mijë, deri në 10 mijë lekë

Qeveria ka ndryshuar për të tretën herë buxhetin e vitit 2024.

Përmes një deklarate për mediat, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë të ditur se në pranverë do të përfitojnë bonus në masën 10 mijë lekë ose 100 euro të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë ose 50 euro të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë lekë.

Po ashtu, bëhet e ditur se do të jenë përfitues të bonusit prej 15,000 lekësh të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë Ekonomike, personat me aftësi të kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre.

Deklarata për shtyp e ministrit të Financave 

Këshilli i Ministrave në një mbledhje të posaçme ditën e djeshme, miratoi Aktin Normativ, për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin 2024.

Ministria e Financave, propozoi disa masa, pas një analize të kujdesshme të ecurisë së ekonomisë dhe treguesve fiskalë për periudhën janar – nëntor 2024.

Në këtë prag fundviti, e gjithë vëmendja jonë shkon në mbështetje të shtresave më në nevojë, kryesisht pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta.

•             Do të shpërndajmë 2.2 miliardë lekë në formën e shpërblimeve të menjëhershme për disa nga kategoritë sociale më vulnerabël.

•             Konkretisht do të jenë përfitues të bonusit prej 15,000 lekësh të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre.

•             Nga ana tjetër do të vëmë në jetë premtimin për garantimin e bonusit të Pranverës, duke siguruar krijimin e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë, në mbështetje të pensionistëve në të cilën do të transferohet një fond prej 6.3 miliardë lekësh.

•             Në pranverë do të përfitojnë bonus në masën 10 mijë lekë ose 100 Euro të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë ose 50 Euro të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë lekë .

Me një fond shtesë në masën 1.4 miliardë lekë do të mbështesim fermerët, duke siguruar investim të vazhdueshëm për një nga sektorët më prioritarë të ekonomisë, bujqësinë.

Gjithashtu do të alokojmë një fond shtesë prej rreth 1.6 miliardë lekë për për të mbështetur bashkitë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, si dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

Angazhimi i Minstrisë së Financave mbetet i pandryshuar për të siguruar edhe në vijim trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB-në, si dhe për të garantuar konsolidimin fiskal e qëndrueshmërinë e ekonomisë në tërësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *