“Saranda”, gazeta e mbrëmjeve verore

Nga Thoma Nika

Ti je duke marrë shijen e mbrëmjeve turistike në shetitoren e Sarandës, duke u përshirë në ritmin dhe pulsin e stinës më të vrullshme. Të gjitha shërbimet, ofertat, dritat, tingujt e ngjyrat shoqërojnë pushues, vizitorë e banorë, në çdo hap. Ngado të rrotullohesh, dikush të fton të shohësh një menu gatimesh, të freskohesh me një akullore, të zgjedhësh nga një set suveniresh, të bësh një foto me pëllumba të butë, që bëjnë si t’u thotë “padroni”, apo ftohesh të pozosh live për një skicim grafik të portretit tënd. Je i ftuar të shtosh në trup një tatoo, apo të prenotosh për një guidë me anije. Po, prenoton në çast për një vozitje sonte përreth Gjirit të Sarandës, apo nesër drejt plazheve me ujin si pikë loti, që formojnë gjiret e vegjël nga Kakomeja, Krorëza, Qefali, në Gremina e Akuarium, apo në Gjirin e Ushtarit. Jeta e mbrëmjes ka dimension e variacion pa fund, ku ti vetëm mbetet të zgjedhësh.

Në shetitje e sipër, ti e ndal hapin, pasi djem e vajza rioshë, që nuk dihet nga cili vend perëndimor vijnë, të ftojnë me politesë e delikatesë, me sytë që u shkëlqejnë dhe me buzëqeshjen miqësore. Ftojnë që të marrësh shijen e një shërbimi fare të veçantë, besuar atyre. Nëse ti u jep të kuptojnë, se, po, je dakort, pa qenë gjithnjë e nevojshme ta shprehësh këtë me fjalë, ata drejtojnë nga ty objektivin e aparatit fotografik, që i ngjan një fizarmonike të vogël, me dhomëzën digitale. Ti pozon dhe momenti, brenda sekondës, i përcilet në trajtë fotografie pajisjes, që është si një laborator fotografie, deri dhe printer ambulator. Në një minutë ti merr si suvenir Gazetën me emrin “Saranda”, me momentin tënd në qendër, loguar edhe me stemën e Bashkisë së Sarandës.

Ta çon mendimin te Gazetat e Mbrëmjes, që në botën perëndimore kanë qenë e mbeten në modelin e informimit intensiv. Njësoj si në ato modele gazetash, ti gjen veten në qendër të faqes së vetme të Gazetës së Mbrëmjes “Saranda”, ku, me foton “blic” që pranove të bësh, je në rol protagonisti.

Dhe ndjehesh mirë, ndjehesh i përfshirë në jetën e ditës e të natës të Qytetit të Turizmit, të konfirmuar si “kryeqyteti veror” i Shqipërisë. Dhe, qofsh turist i huaj apo shqiptar, vizitor, mysafir apo kalimtar i rastit, me Gazetën e Mbrëmjes “Saranda”, ke marrë me vete një suvenir të veçantë. Momenti të është kthyer në përjetim.

Gazeta “Saranda” nuk pretendon të të zbulojë qytetin ku ke zgjedhur të pushosh, të vizitosh apo të jetosh. Por, me tekst dhe informacion të kursyer, promocional, të shton pak adrenalinë, të injekton pak më shumë pozitivitet, të bën të ndjehesh i përfshirë në jetën, në prurjen dhe në pulsin turistik të stinës më të vrullshme.

Kjo është ndjesia që merr edhe nga titulli, shkruar me gërma kapitale: “Gazeta e Njerëzve të Lumtur”. Sado e pavërtetë dhe iluzive të duket kjo në kohë të qeta, aq ledhatuese të vjen në stinë të tilla të vrullshme. Sepse ti i je dedikuar pushimit dhe je i prirur të koleksionosh sa më shumë momente të bukura dhe lajme “limonatë”, soft. Për t’u ndjerë ngjashëm me momente kur je duke konsumuar një lëng “orange” apo një “spritz”.

Kur të gjitha shërbimet, ofertat, produksionet e artit dhe spektaklet e sportit shkojnë atje ku është pushuesi, vizitori, qytetari e banori, e njëjta gjë po ndodh edhe me këtë format Medie. Gazeta “Saranda” vjen në formatin StreetPress, apo Shtypi i Rrugës. Dhe konsumatorë e protagonistë të tij ftohen të bëhen njerëzit që ecin në rrugë e sipër, me vrullin dhe stacionet që kanë gjithnjë mbrëmjet verore.