Beteja e përvitshme kundër turizmit në Jug

Nga Mero Baze

Është bërë zakon që çdo fillim sezoni të nisë një betejë kundër turizmit në Jug të Shqipërisë. Fillon si zakonisht me një faturë të postuar që uji shitet shtrenjtë, pastaj pastat, peshku etj. Në fund e kanë me çadrat.

Pastaj fillon Berisha poston foto me çadra bosh dhe aty është fiks momenti kur gjithë gjithologët fillojnë e japin këshilla për çmimet dhe rrezikun e dështimit.

E kuptoj pse e kanë me plazhet e Jugut. Deti Jon është nga më të lakmuarit në Evropë për shkak të ujit dhe pejsazheve mahnitëse të bregdetit. Dhe natyrisht është dhe i vetmi bregdet, ku ne përveç turizmit masiv, kemi dhe investime në turizmin e luksit. Kaq është e gjitha.

Çdo gjë tjetër nuk qëndron.

Nuk është e vërtetë që çadrat janë nga 50 euro deri 200 euro, mesatarja është 10 euro. Po natyrisht në tre- katër pika në bregdetin e Jugut ku ka shërbime luksi, çadra nuk ka çmim. Është garë mes njerëzve vanitozë sa e marrin atë. Por ajo nuk ka lidhje me plazhet e Jugut. Të mendosh që për atë hapësirë plazhi në Jug, ndryshe nga Golemi, Shëngjini apo Velipoja, që e kanë rërën gati, biznesi në Jug ka investuar të kthehet në zonë pushimi, çmimi 10 euro është shumë logjik.

Në Qeparo, Borsh e Himarë po ashtu. Po natyrisht në pika ekskluzive ku është zhvilluar turizmi i luksit, ka çmime të çmendura, por nuk janë shqetësim për popullin, por për ata që kanë dëshirë të hyjnë në garë për luksin.

Mos u shqetësoni për ta. Madje gëzohuni që po i lënë lekët këtu.

Nuk është e vërtetë që restorantet kanë çmime marramendëse, edhe pse ka abuzues me klientë të paorientuar. Unë nuk shkoj kurrë dy herë në një restorant ku ndjehem i gjobitur nga çmimi. Madje as aty ku shikoj se dikush abuzon. Dhe këtë besoj e bën çdo njeri. Nuk besoj se ka pronar restoranti që do të falimentojë duke zbuar njerëz.

Nuk është e vërtetë që sivjet turizmi ka rënie. Ka rritje dhe madje të frikshme për të njëjtën periudhë me vitin e kaluar.

Shqiptarët, ata që pushojnë, pushojnë nga mesi i korrikut në fund të gushtit, dhe meqë janë ende në shtëpi, kanë ndjesinë që plazhet janë bosh. Plot me të huaj janë. Nga ata të huaj që e njohin turizmin, dinë ku shkojnë, dinë sa harxhojnë e ku harxhojnë. Mos u shqetësoni për ta.

E vërteta është se turizmi ka zgjeruar tërësisht gjeografinë e tij dhe kalendarin e tij. Tani turizëm bëjnë qindra fshatra shqiptare, nga ata që nuk i gjen dot as në hartë. Turizmit po i shtohet gjeografia e re dhe me qytete. Shkodra ka diversifikuar turizmin malor, detar e lumor, Lezha dhe Durrësi janë bërë kryeqendra të truizmit masiv, dhe këta to gjitha janë 10- fishi i turizmit të Jugut.

Jugu ka shume më pak numra në turizëm, se ka pak hotele dhe plazhe, por natyrisht është më i shtrenjtë se Shqipëria e Mesme dhe Veriu.

Te ardhurat që prodhon Jugu në raport me Shqipërinë e Mesme dhe të Veriun janë disa fish më pak.

I gjithë sulmi vjen prej disa pikave të turizmit të luksit në Jug, që duhet të gëzojmë që ekzistojnë për atë kategori turistësh që e duan. Por në Jug nuk fitojnë 200 euro nga një çadër apo 1 mijë euro nga një klient ne restorant. Dhe as janë duke falimentuar. Janë shumë mire, se për fat çmimet i rregullon tregu dhe jo mendimtarët e turizmit në rrjete sociale.