Lypësja që u bë Miss
Nga Thoma Nika
Nën pelerinën e kuqe flakë dhe kësulën e Babagjyshit të Vitit të Ri, ajo dukej edhe më e mirë se ditët e tjera. Luante Babagjyshin 2006 në tablon modeste, që fëmijët e Jetimores së Sarandës kishin ndërtuar për të përcjellë 2005-ën. Ky ishte aktiviteti i dytë që e bënte “personazh” Diana Lleshin, brenda një muaji. Ajo gjithashtu ishte ndër dhjetë vajzat që sfiluan në atë fundviti, në konkursin e bukurisë “Miss & Mr. Orphanage 2005”, organizuar në Shtëpinë e Fëmijës, në shtëpinë e tyre. Mbi hiret e saj vajzërore u vu fasha e “Miss Eleganca”. E ky ishte një emocion më shumë për të gjithë. Për arësyen e thjeshtë se rruga e saj drejt pasarelës së bukurisë, është shumë e ndryshme dhe e veçantë nga e gjithë të tjerave. Në se të tëra kanë të përbashkët një mungesë madhore, një dramë a fatkeqësi në jetë, fati i Dianës ka qenë edhe më i keq se kaq.
Nga vjen Diana?
Ajo vjen nga një familje me prindër të divorcuar, e braktisur nga nëna, që ajo as nuk e di ku e ka. Përfytyroni një baba që, pas kësaj krisjeje familjare, ndaj detyrimit për të mbajtur dy fëmijë, mes të cilëve njerin të sëmurë me leuçemi, bëhet depresiv dhe jepet pas pijes, që e ka bërë shpirtkazëm edhe me krijesat e veta. Këtë ka rezervuar ai në vite për Dianën, të rritur më shumë rrugëve.
Një vajzë trupimët, e ushqyer dhe e veshur keq, me dorën e nderur për lëmoshë, ishte “personazhi” që rrugëve më të rrahura të qytetit e shikoje të niste “punë” sa zbardhte dita, deri në orën e natës së vonë. Me një trastë në dorë ose hedhur supit, sepse ajo ishte “tryeza” e ushqyerjes së saj dhe me lutjen në gojë për t’i hedhur ndonjë lek.
Kur e nisi këtë “mënyrë jetese”, ishte vetëm 7 vjeçe. Ndjenja e turpit për atë që ishte duke bërë, nuk e linte të hynte nëpër mjedise “burrash”, si lokalet. Po disa herë në ditë kalonte nëpër rrugët me njerëz, në shetitore. E, duke qenë natyrë e çelur, e çiltër dhe e vuajtur njëherësh, hynte edhe në bisedë me njerëzit, që kishin nisur ta mëshironin dhe ta donin po aq. Me ata që shihej përditë e u mësonte edhe emrin, në naivitet e sipër, ua thoshte atë që ishte dhimbja e saj: babai ishte “punëdhënësi” që nuk falte. Ultimatumi i tij i hekurt ishte: të mos i vinte vajza në shtëpi pa dhjetë mijë lekë në xhep. Dhe ajo rropatej ta bënte këtë “normë”, mblidhte me qindarka lekët që kalimtarët i jepnin në shenjë dhimbshurie për fatin e vajzës. Por çfarë hynte në xhep, ishte “për llogari’ të babait. Prandaj ajo shihte të hidhte edhe në torbë diçka: një portokall, një domate, pak djath a riska buke thatë, që të mund të ushqehej.
Qindra njerëz e shihnin Dianën në këtë ritual. Madje jo rrallë, kur nuk kishte mundur të bënte paratë që i kërkoheshin nga i ati, e gjenin ta kishte mundur gjumi nën shkallët e pallateve, apo në shtëpitë e “emigrantëve” nga Veriu i vendit, që kërkonin mëngjeseve punë në Sarandë. Këta bëheshin strehuesit e saj, sa herë që derën e shtëpisë e kish të mbyllur nga i ati, se nuk kishte mundur të plotësonte kuotën e kërkuar të lekëve. Dhjetëra “donatorë” në ditë mendonin se i bëheshin krah në hallin e saj, duke i ofruar ndonjë lek më shumë.
Richardi e ndihmoi ndryshe
nuk mendoi e nuk veproi kështu, por u bë dorë dhe e nxorri nga kjo rrugë e nga këto vuajtje, vajzën me fatin e Hirushes. Ai ishte misionari anglez Richard, me rezidencën shumë pranë banesës prindërore të vajzës-lypëse. Ai na thosh se i kishte mundësitë t’i jepte më shumë lekë, apo ushqime se kushdo tjetër, që e haste vajzën në rrugë. Por mendoi e veproi krejt ndryshe. Trokiti në Shtëpinë e Fëmijëve në Sarandë, bisedoi dhe mundësoi që ajo shtëpi të bëhej shtëpia e saj.
– E morëm nga rruga e drejt në institucion-na tregonte, drejtorja e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë- duke e nxjerrë nga kthetrat e babait-punëdhënës.
Këtu la pas jetën e rrugës, që e kishte lënë të papastër e të pakrehur. Veç ushqimit, u trajtua edhe me vitamina, që i mungonin, nga ushqyerja e keqe në fëmijërinë e vështirë.
Me bujari kjo shtëpi i hapi dyert dhe e bëri pjesë të vetën. Diana nisi ta shfaqë veten si vajzë me parametra fizikë, me temperament e inteligjencë aspak të prapambetur. Pas kësaj, babai shtirej prind i përgjëruar dhe u mbetej në derë, deri dhe duke i kërcënuar. Kërcënonte dhe vajzën, sa ajo shtrëngohej t’i fshihej e tmerruar atij nëpër çarçafët e lavanterisë.
Babai përjetonte ikjen e vajzës nga shtëpia, më tepër si humbje të të ardhurave, që Diana i çonte gati përditë, por edhe në punët e shtëpisë që i bënte për merak. Pas disa javësh vajza u kthye tek babai për disa ditë si vizitore. Por rikthimi me zgjedhjen e saj në gjirin e familjes së madhe që kish gjetur, do të bëhej i mundur, vetëm me ndihmën e uniformave blu.
Shkollimi-sfida më madhe
Problemi më i madh i Dianës ishte shkolla. Iu desh të ulej në bankën e klasës së parë kur ishte 9 vjeçe. Pa ditur asnjë gërmë dhe duke qenë disi e hutuar në mjedisin e ri. Mësuesit nisën ta vlerësonin për intelektin dhe ambicien, që e vunë në radhën e nxënësve më të mirë të klasës e të shkollës. Aq sa ndihmonte edhe të tjerët në mësime. Diana e tregoi veten si vajzë që pati vullnetin të kapë kohën e ikur e të arrijë bashkëmoshatarët e vet.
E kapi kohën shpejt, u bë vajza e pasarelave. U kurorëzua “Miss Eleganca”. Një bukuri që vinte pasi kishte lënë prapa një fëmijëri dramatike dhe i hapi horizonte të bukura.