Personazh: Në vend të mësuesit model, kemi modelin e mësuesit

Nga Thoma Nika

Data dhe Ora kur ai do të merrte titullin “Mjeshtër i Madh” nga Kryetari i Shtetit, u këmbye me datën dhe orën e përcjelljes për në banesën e fundit.

E gjithë salla u mbulua me heshtje në ato minuta, pas propozimit të Qytetarit të Parë të Sarandës, atij që e propozoi Vasil Partalin për “Mjeshtër i Madh” i Mësuesisë.

Në vend të mësuesit model, tani kemi modelin e mësuesit.

Kemi imazhin e fytyrës së tij babaxhane, si në keto fotografi.

Kemi eksperiencën e tij të gjatë e të vyer si drejtues shkolle dhe metodist, si autor e bashkautor studimesh e fjalorësh dygjuhësh shqip-greiqsht.

Mbi të gjitha, kemi urtësinë e tij, që vjen prej mençurisë.

Nuk harroj të them se kemi në kujtimin e tij edhe një kampion të modestisë, që kurrë nuk mendoi për vete.

Modestinë e kërkoi dhe e kultivoi. Dhe ajo e shoqëroi deri në udhëtimin e fundit.

Është gati e pabesueshme, por ai u nda prej nesh pa e mësuar dot lajmin se, pas kolegut të tij më të ngushtë, mësues Xhorxhi Vasilit, dy njerëz kishin menduar dhe kishin vendosur qysh në gjallje, pët ta bërë Vasil Partalin “Mjeshtër të Madh”.

Këta dy njerëz janë Qytetari i Parë i Sarandës, ish-nxënësi i urtë i mësuesit të urtë Vasil Partali dhe Kreu i Shtetit, nënshkrues i titullit “Mjeshtër i Madh”.

Ashtu si mësues Xhorxhi, edhe familjarët u përpoqën t’ia mbanin “sekret” nderimin që i behej, teksa profesori luftonte me vdekjen.

Duke menduar se kjo do t’i kthehej në një emocion të fortë e do ta bënte më të dobët përballë sëmundjes së rrallë, që i ra për short të hiqte.

Por ja që kjo përkujdesje, është sot pengu i tyre i madh. “Si e lamë Babanë, kolegun dhe Mikun e mirë, të na ikte pa mësuar se i ishte akorduar vlerësimi “Mjeshtër i Madh”??

Për t’ia zbuluar surprizën, kishin zgjedhur momentin më të afërt me ceremoninë e dorëzimit të titullit. Por ai nuk ua dha këtë shans.

Duket si vazhdim i cilësisë së tij për të mos menduar për veten, por për ta lënë midis tyre e midis nesh nesh, si pjesë të vyrtytshme të trashëgimisë, edhe titullin “Mjeshtër i Madh”.

Ky ishte Vasil Partali. Modeli që vlen.