Personazh: “Esmeri” i fizarmonikës dhe i humorit me dy presa
Nga Thoma Nika
Fejzi Muço vinte në Sarandë nga radhët e komunitetit përmetar. Të njohur nga të gjithë si “ezmerët” e Sarandës. Njerëz të butë, sa të errët në lëkurë, aq me zemër të bardhë. Mund të bënin jetë modeste, pa ndonjë salltanet. Por ishin gëlqeredashës, që do të thotë që shtëpitë llamsnin nga dora e nikoqireve, që i bënin zonja të pastërtisë. Përmetarët e Sarandës janë të dallueshëm gjithashtu si njerëz të punës së pafjalë dhe të miqësive me zemër në dorë. Nuk do të ishte e plotë “karakteristika” e tyre, po të mos them se gjithaq, ishin edhe njerëz të ahengut dhe “të gotës”, që ua ka kërkuar “gurmazi”, për ta bërë atë gati për këngë…”Ku ka këngë afrohu, ku ka sherr largohu”, dëgjoje të ishte kodi i tyre i sjelljes.
Në fushën e këngës figura më përfaqësuese ishte baritoni Mentor Xhemali, për të cilin Saranda u bë porti ku bëri hamallin qysh fëmijë. E Saranda për atë mbeti “floriri” i vogël, që e çlodhte sa herë vinte në njerëz shumë të afërt e të dashur. Vinte për miqësi, për nostalgji, për këngë dhe peshkim. Nga ky komunitet ishte edhe zëëmbli i këngës qytetare përmetare, Mazar Tahiri.
Sa për Fejziun, atë nuk e kishe për këngë. Por i këndonte fizarmonika. Ajo fizarmonikë që, kur e hidhte ai në krahë dhe kur preknin gishtat e tij në tastierën bardhezi, të krijonte gjendje shpirtërore ekzaltuese, të çonte në stepat ruse e të sillte në ujëvarat e kabave të Laver Bariut, të ngrinte supet me vijën melodike të Himnit të pashpallur “Për ty Atdhe”, të ngrinte në vallëzim me tangot dhe valset, që luante me shpirt artisti.
Fejziu ishte një muzikant i lindur. Pa fizarmonikën në krah, i zgjidhej gjuha dhe mendja i punonte për rrengje. Ama kur kishte atë, vetëm ajo fliste. Më mirë të them, fliste ai, nëpërmjet tingujve dhe akordeve të saj. Me shtatë nota, thoshje se krijonte shtatë mrekulli.
Nuk di nëse kishte mundur të merrte diku, nga dikush, mësime arti. Një gjë dihet: që Fejzi Muço ishte një virtuoz në instrumentin e fizarmonikës. Me një vesh muzikor që ia kishin zili.
Ndoshta për shkak të mospatjes së një diplome si i tillë, ndoshta edhe për të shtuar pagesën që merrte si invalid pune, e gjente vetë hapësirën boshe dhe mënyrën e punës, që xhepi t’i kishte gjithmonë lekë. Rrallë e “konsumonte” veten me orkestra dasmash. Nuk kishte nerva, për të luajtur me orë të tëra në fizarmonikë. E përse? Për ahengje. Dhe ku? Në ambiente të mbyllura. Nuk ishte për Fejziun.
Nuk thoshte “jo”, kur fjala ishte që të bëhej pjesë e orkestrës atje te Bar Lulishte “Butrinti”, përmbi shetitore, ku birra shkonte lumë e ku muzika live ishte pjesë e “menusë”. Shkonte edhe nëpër shkolla, për të ngritur ansamble nxënësish. Profesional dhe i palodhur. Ksamili ishte hapësira e zgjedhur prej tij. Edhe atje përgatitjen e grupeve solistike të nxënësve, e bënte me pasion të madh. I pëlqente atje, pasi kështu edhe i largohej “rrëmujës” së Sarandës. Edhe se nuk donte që ata që mbaheshin për “muzikantë të mëdhenj”, ta përgojonin e të qaheshin duke thënë: “po ky Fejziu, erdhi na mbiu në baçe”.
Sa i mbarë e i pëlqyer ishte në muzikën që bënte, aq prapësira do të dëgjoje se kishte bërë Fejziu. Të mbushnin me humor bëmat e tij. Të këndshme, me nota humori të bardhë e pa cënuar njeri. “Për t’i nxjerrë sytë”, thuhej kur flitej në tërë qytetin për ato që u punonte si sfidë, sidomos atyre që mbaheshin me të madh, apo që e kishin si kartë betimi të thoshnin “për ideal të Partisë!”. Se Fejziu ishte i pari, kur i shkrepte të vinte në lojë ofiqarët vendorë të Partisë, në monizëm. Ka dhjetëra episode të lojërave të tij të zgjuara me ofiqarët partiakë në Sarandë, të cilët ia “falnin” çdo rreng Fejziut.
I pari i tyre i respektonte talentin dhe tipin. Këtë Fejziu e dinte dhe e përdorte për të bërë të mundur edhe atë që ishte e pamundur ta arrinin pa Fejziun, ata që ishin në orkestër me të.
Pas një rikonstruksioni të bërë në verandën e Bar Lulishtes së famshme “Butrinti”, diskutohej që të ndryshohej vendi ku luante orkestra e lokalit. Realisht ishte një lëvizje pa mend, por atë rrugë mori. Ku bindeshin “kompetentët”?!! Fejziu gjen rastin dhe i vete “të madhit fare”. Iu ankua për “kaçatorët” e tij, duke i treguar një çarje në xhaketë, gjoja shkaktuar nga kokrrat e palmave, që u kishin rënë mbi kokë. “Ja ç’na bëjnë vendimet e papjekura të aguridhëve”, i tha dhe i tregoi çfarë donin të bënin ata nën të. Ai e besoi, për shkak të simpatisë që kishte. Dhe lëvizja e vendit të orkestrës, nuk ndodhi.
Në katin e sipërm të pallatit ku banonte Fejziu, ishte një familje dëshmori. Siç edhe tani ndodh, grupe funksionarësh lokalë, u shkonin për vizitë më 5 Maj. Tavolina e familjes pritëse ishte mbushur si për “shokë të Partisë”, me nja dy tollona shtesë mbi fukarallëkun e përditshëm. Fejziut i kishte rënë erë për këtë vizitë dhe u del në shkalla “kuadrove”. I pyet për ku ishin dhe ata i treguan.
– Po edhe ne i kemi hedhur dy trakte poshtë derës- qesëndisi ai-Ju pres edhe unë të ktheheni, më të zbritur…
Kjo vizitë nuk u bë. Por, duke zbritur, “shokëve të Partisë”, u ra në vesh muzika e huaj, që vinte nga Radio “Iliria” e Fejziut. Nuk vonoi dhe te dera e tij ia behu patrulla e policisë. Muzika e huaj, shkulte dynjanë me volumin e ngritur në maksimum. “E po tani e zumë “me presh në dorë”, – menduan ata. I hyjnë vrullshëm brenda dhe nisën t’i hakërrehen: “ç’është kjo Radio në stacion të huaj?”.
– Hajdeni, hajdeni tamam brenda- i ftoi Fejziu. Shikoni ku është Radiua. Dhe i drejtoi për nga banja, duke thënë se “Kjo muzikë vetëm këtu e ka vendin, ne kemi muzikën tonë kryevepër”.
Kaq u desh që policët të iknin, me mendimin se gjithçka ishte një keqkuptim…
Një mbrëmje e zuri darka duke punuar përtej orarit me grupin e ansamblit në Ksamil. E dinte që trari i kufirit ishte i ulur në atë orë dhe nuk kalonte as miza, jo njeriu. Por tha “ta provoj një herë”. Përndryshe do flinte jashtë.
U nis me këmbë drejt Postës kufitare të Manastirit. Kishte goxha rrugë për të bërë deri atje. Duke ecur, i tha mendja të punonte rrengun e radhës, përndryshe nuk e bënte dot gjumin në Sarandë. Ndryshoi menjëherë drejtimin e ecjes: nga ai për në Manastir, sikur po shkonte drejt Butrintit. Pas pak hasi në rrugë një fëmijë nga ata të njësitit vullnetar, që vigjëlonin për shkelës kufiri. I afrohet fëmijës dhe e pyet “sa larg është kufiri që këtej?”. Kaq u desh dhe u vu në veprim zinxhiri i vigjilencës. U njoftua Dega e Brendshme se “dikush kërkonte të kalonte kufirin”. Dhe në pak minuta erdhi “gazi i Degës”, që e çoi në Sarandë. Kur e panë Shefat se kush ishte “shkelësi”, i thanë:
– Po pse na e bëre këtë, o Fejzi?!
– Po si mund të vija ndryshe sonte në Sarandë e të flija në shtëpinë time?- u tha ai
Mes zemërimit, përzier me të qeshurën që u shkaktoi “djallëzia” e Fejziut, e lanë të lirë.
Muzikanti “i krisur” nuk linte t’i kalonte rast pa bërë disidencën e nënkuptueshme të regjimit, apo pa përqeshur hapur edhe fukarallëkun dhe autorët e atij fukarallëku, të fshehur poshtë etiketës së komunizmit të sakrificave.