Personazh 2024: “Shkodrani i Sarandës”

Nga Thoma Nika

I bëhen më shumë se 50 vjet, prej atëherë kur detyra prej ushtaraku e desh që të zbriste nga pika më veriore e hartës së Shqipërisë dhe të ngulej në skajin më jugor, në Sarandë. Kishte studjuar për elektronikë, pa asnjë lidhje me uniformën ushtarake. Por karriera e tij do të merrte kthesë e do të zhvillohej e tëra si ushtatak i linjave dhe aparaturave të ndërlidhjes, për të cilën ishte bërë zakon të thuhej se vendos fitoren në kohë lufte. Po, njësoj si lufta do të ishte edhe paqja e shqiptarëve, të udhëhequr nga paranoja e pritjes së pushtimeve dhe pushtuesve imagjinarë, që kurrë nuk erdhën. Kjo donte të thoshte që inxhinjeri ushtarak i këtyre punëve, do të duhej t’i shtrohej punës repart më repart për të ngritur dhe mirëmbajtur një rrjet ndërlidhjeje në çdo kohë, pavarësisht largësisë nga qendra dhe pavarësisht nga dimrat, që ishin të egër edhe në Sarandën e klimës mesdhetare.

I ri, simpatik, i gjatë e me sy bojëqielli, me uniformën kaki që e tregonte shik, bartës i të folmes dhe i humorit tipik shkodran, Hamdiu do të ishte njeriu që dallohej dhe shoqërohej me simpatinë e natyrshme nga jugorët, që flisnin ndryshe dhe shpreheshin ndryshe, mbase të ndryshëm ishin edhe në mendësi. Mes tyre Hamdiu ndjente se ishte dyfish i respektuar e i admiruar, në çdo mjedis. Një herë si çdo “jabanxhi” dhe më shumë akoma si shkodran.

Sa i buzëqeshur ishte me njerëzit në raportet si “jabanxhiu” i qytetit, aq serioz bëhej në detyrë dhe i admiruar si ushtarak. Këto e bënë që shkallët e karrierës t’i ngjiste shpejt dhe t’i largohej specialitetit të ndërlidhjes ushtarake, për të përmbushur ndërlidhjen me njerëzit, në një profil komisari. Kjo, pasi nuk u desh të kalonin shumë vite, për të spikatur si njeri që “i ngjiste fjala”. Shërbeu në struktura të larta e të rëndësishme ushtarake, në të dy qarqet e atëhershme: në Gjirokastër e Berat. Por…
– Kudo që shërbeva- tregon Hamdiu- shtëpinë dhe familjen nuk “i shkula” ndonjëherë nga Saranda, duke bërë ndoshta një përjashtim nga kriteret e rrepta që i viheshin përpara çdo ushtaraku.

Shkodranishten e “theu” shpejt dhe gati i doli e papërdorshme në Sarandë. Humori burimor i vendit nga vinte, i mbeti. Edhe dashamirësia e çiltërsia, shpesh e shprehur me atë togfjalëshin karakteristik “mirë, ta marrsha”, i mbetën si dy shenja dalluese nga gjithë të tjerët. Dhe sot, 52 vite më pas, Hamdi Pervizin e identifikojnë si “Shkodrani i Sarandës”.
Ndoshta ishte e parashkruar kjo lidhje e përjetshme e tij me Sarandën, si i linduri më 9 tetor, në një datë me çlirimin e qytetit jugor, që iu bë qyteti i zemrës dhe i jetës. Këtu krijoi familje, këtu u bë baba i dy vajzave, Markeljanës dhe Ermirës. Të dyja prej atyre vajzave që “lënë kokën” për babanë. Ato e lanë Sarandën dhe janë ngulur tashmë në Tiranë. E para për shkak të biznesit dhe e dyta për shkak të mundësive për karrierë si juriste. Veç Hamdiu nuk e ndërroi dhe nuk e ndërron Sarandën. “Me asgjë në botë”, thotë ai, duke na kujtuar se kemi të bëjmë me një shkodran në rrënjën e vet.

Nuk e kaloi ndonjëherë nëpër mend që ta lerë Sarandën, as atëherë kur ndërroi sistemi dhe, si shumë të tjerëve, i thanë: “mjaft më, dorëzoje kapelen e oficerit. Je ndër ata që duken jeshilë jashtë, por të kuq brenda”. Dhe kështu u bë, edhe se “e kuqja” e tij ishte e paragjykuar. Por nuk e pa këtë flakje nga radhët e ushtrisë, si fundin e botës.

Si do të jetonte? Si do mbante familjen? Si do rriste e shkollonte vajzat? Ia nisi me riparim televizorësh, se ishte kohë tjetër. Nuk ishte si tani që, për një defekt të zakonshëm, blejnë TV “të kutisë” në markete, me marka e teknologji digitale, me inch-et sipas salloneve dhe me çmime sipas xhepit.

– Punë kishte, por nuk ishte punë për mua, tregon Hamdiu.

Arësyeja: se “komisari” i djeshëm nuk e bënte dot që të fjalën ta zëvendësonte me shifra lekësh për punën që bënte.

– Më dhimbte të merrja lekë-shton- Klientët o do ishin të njohur, o do ishin të këputur.
Punë që nuk bëhej për ndërtimin shpirtëror të Hamdiut.

E gjeti veten në tregtinë e shumicës. Me milionin e parë, bleu një maune, punësoi një shofer dhe iu fut punës së tregtisë. Provoi me orizin nga Agrinjo, me miellin nga Selaniku e me mollën nga Kreta e Greqisë. Për vite të tëra nuk eci keq. Mëkëmbi ekonominë, mbajti shtëpinë. Mbi të gjitha, zbuloi tek vetja cilësi e aftësi të mira për të qëndruar lojtar në fushën e tregut të shumicës.

Tanimë, këtu në Sarandën që nuk iu nda, ka strukturuar një tregti të produkteve më tipike të zonës: djathin, vajin e ullirit, mjaltin. I grumbullon nga burimet e para dhe i marketon me ekskluzivitetin e firmës së vet tregtare të shumicës. U shton atyre edhe artikuj të lëndëve të para për pastiçeri. Dhe ndjehet se është zot në punë të vet. Me të punësuarit “harron” të sillet si pronar. E ata ndjehen se, kur punojnë për Hamdiun, punojnë si për vete, pasi janë të vlerësuar e të mirëpaguar. Po edhe miqve Hamdiu nuk harron t’u çojë hera-herës “kartolinën” e tij: me pak djath të mirë, pak vaj vergine e pak mjaltë pa hile…

Puna i ecën siç ka zemrën.

Dhe i mbetet kohë edhe për angazhim në punë për komunitetin, i spikatur ndër njerëzit e çertifikuar “Ambasadorë për Paqe” në rajonin jugor të vendit. Pa i mbetet kohë të bëjë edhe udhëtime me miq të Sarandës e të Shkodrës, disa herë në vit. “Të punojmë duke pushuar e të pushojmë duke punuar” – thotë. Dhe o do gjendet në Pogradec e Korçë, o në Theth e Valbonë, o në Gramsh e Këlcyrë, o në llixhat e Pejës.
I hanë këmbët edhe për rrugët e gjata. Mijëra kilometra në timon duke udhëtuar për në Francë, Çeki, Kroaci, pa llogaritur Greqinë këtu pranë. Udhëtimet nuk i japin lodhje, por çlodhje e kënaqësinë se ka parë, ka prekur, ka kuptuar e shijuar më shumë “nga dynjaja”.

Hamdiu është në shumë pamje i veçantë. Kështu ka qenë jeta e tij, qysh në nisje. Ai erdhi në jetë, atë tetor të ‘50-ës, pak muaj pasi i ati i tij, një ushtarak drejtues i forcave të ndjekjes, ishte marrë në shenjë për vdekje, në përballje me bandat. Në ato vite të para pas lufte, në Veriun shqiptar bandat dilnin nga çdo shkurre e pyll dhe zinin pusi e bënin terror. Shinjestra e tyre e parë ishin njerëzit e pushtetit të dalë nga gryka e pushkës. I ati do të binte në këtë front lufte të egër. Por emri i Dëshmorit të Atdheut do të përtërihej tek i biri. Një tjetër veçanësi e rrallë kjo në gjendjen civile të Hamdiut. Me emrin Hamdi dhe me atësinë Hamdi.