Personazh 2024: Moza Boçi, taksistja që timonin bëri profesion

Nga Thoma Nika

Moza Boçi është e vetmja zonjë në shërbimin taksi në Sarandë.

Prej 6 vitesh është, me kohë të plotë, pjesë e këtij shërbimi, duke bërë rrugë të shkurtëra dhe të gjata. Duke dhënë siguri të plotë për çuarjen në destinacion të udhëtarëve shqiptarë dhe të huaj, që zgjedhin të udhëtojnë me “Benz”-in e saj, të cilin thotë se e ka sjellë vetë nga Gjermania.

Portretin e Mozës, si një taksiste e kërkuar dhe e preferuar, e nisëm duke e kapur në një prej pikave të furnizimit me karburant. Ajo na tregoi se qysh fëmijë, ishte e dhënë pas biçikletës, motorrit dhe makinës, pasi vëllezërit e merrnin me vete. Prandaj në familje askujt nuk i ra “si bombë” vendimi i Mozës, për t’u bërë shofere profesioniste. Simpatia e njerëzve që e rrethonin në fis, në fshat e kudo, e ka shoqëruar qysh në fillimet e kësaj zgjedhjeje.

E çuditshme, por e vërtetë: në rastin Moza, kanë munguar pësh-pëshet tipike, që do të ishin të kuptueshme, pasi ajo theu tabunë se timoni e sidomos taksia, është “punë burrash”.

Por, tjetër të thyesh një mentalitet e tjetër të punosh çdo ditë me burrat. Madje të jesh në një garë që nuk mbaron, për të qenë e pranuar dhe e kërkuar nga klientela, njësoj, në mos më shumë se ata. Kur e pyes Mozën se si është të punosh e konkuruar nga burrat, ajo shfaq sërish butësinë dhe tolerancën e femrës, që edhe ndonjë episod përplasjeje, për shkak të “burrërisë”, nuk ka dëshirë ta thotë e ta mbajë gjatë në kujtesë. “Normal, – shprehet ajo-puna i ka edhe këto!

Unë i kaloj me sportivitet dhe i bëj të pendohen, me tipin dhe buzëqeshjen time!”.

Prandaj vitet si taksiste në timon, kalojnë shpejt, pa iu rënduar si punë dhe pa i thënë vetes “ç’m’u desh që zgjodha të bëj këtë zanat!” Ajo vazhdon të udhëtojë përditë dhe, siç reegjistrohen kilometrat në taksimetër, i shtohen edhe njerëzit falenderues, të cilëve u ka shërbyer pa asnjë episod mbetjeje në rrugë, pa histori defektesh, që me Mozën nuk ndodhin. E po aq falenderues janë për korrektesën në orare, në çmime e në resto, shoqëruar me fjalën e mirë, me sjelljen e butë e dashamirëse.

Kjo është arësyeja që Moza, nuk e ka të domosdoshme të vihet në radhë në stacion, pasi klientët e gjejnë edhe kur është në udhëtim, edhe kur mund të bëjë punë shtëpie. “Normal që bëj edhe “detyra shtëpie”- thotë Moza- por telefonin nuk e ndaj nga vetja, se më shumë më kërkojnë atje, gjatë ditës e gjatë natës, se sa tek stacioni i taksive”.

Në bisedë e sipër Moza, taksistja më e kërkuar dhe e preferuar, për shumë arësye, na tha se do të ndjehej më mirë, nëse intervistën do ta vijonim, duke udhëtuar nëpër Sarandë. Dhe kështu vijuam:
Ajo më tregoi se si është një ditë e saj në shërbimin taksi në Sarandë.

Ka ritëm, ka ngarkesë dhe me qetësi di t’u qëndrojë larg sherreve. Më flet edhe se kush janë klientët e saj: gratë po se po, por edhe burrat, ata që ia njohin zotësinë në timon, si dhe komunikimin njerëzor, që, sipas saj, çdo taksist duhet ta ketë.

Moza tregon se i qëllon shpesh t’u shërbejë edhe turistëve të huaj në qytetin e turizmit. Me dyfish korrektësi, duke vënë në provë edhe korrektësinë e mësimit të fjalëve që ka mësuar nga anglishtja në kohën e lirë. Çdo gabim i kuptueshëm i ndonjë fjale, ajo thotë se ndihmon për ta bërë më të ndjeshme atmosferën gazmore e miqësore me ta. “Mbetem më shumë se e shpërblyer, kur ata ndahen miqësisht me mua në stacionin e fundit dhe kur shkëmbejmë kartvizitat me telefonat tanë”, shprehet Moza me maksimum sinqeritet.

Kur e pes se çfarë do ta donte të ishte ndryshe në organizimin e shërbimit taksi në një qytet turistik si Saranda, ajo thotë se logot taksi duhet të ishin një imazh më domethënës; që stacionet të mos ndryshohen e deri edhe në veshjen e taksistit mund të ketë një unifikim dhe një logo identifikuese me numër personal, ngjashëm me atë të policëve.

Taksistja e vetme zonjë në
Sarandë, është pjesë e një familjeje, ku të gjithë punojnë dhe forcojnë ekonominë familjare. Na tregon se bashkëshorti është mjeshtër i disa specialiteteve të ndërtimit, ndërsa vajza 20-vjeçare ka biznesin e vet, që është një sallon bukurie.

Moza shprehet e sigurt se, si taksiste do të kapë edhe moshën e pensionit. Kjo punë, thotë ajo, është e duhura për tipin dhe aftësitë e mia. Dhe thotë se ndjehet mirë t’u japë këtë shërbim njerëzve. Po kaq e kënaqur shprehet për të ardhurat e mira që i vjel kësaj pune, të cilën nuk do ta ndërronte me tjetër.