Koçiu në Sarandë: Shtrirje e shërbimeve sociale të integruara në 61 bashkitë e vendit

Ngritja e shërbimeve sociale komunitare të munguara si dhe zgjerimi i hartës së shërbimeve sociale për grupet në nevojë është synimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet Fondit Social.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka vizituar Qendrën e Zhvillimit në Bashkinë Sarandë ku marrin shërbim 35 fëmijë me aftësi të kufizuara si dhe mosha e tretë.

“Jemi në qytetin e Sarandës ku së bashku me bashkinë e këtij qyteti dhe me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, investojmë në shërbime për grupet në nevojë. Ky është një shërbim model që ofrohet për tre kategori vulnerabël, moshën e tretë, personat me aftësi të kufizuar, fëmijët dhe familjet në nevojë”, theksoi Koçiu.

Ministria tha se ky model do të shtrihet në të gjtha bashkitë e vendit. “Modeli i shërbimeve sociale i cili do të ofrohet në të 61 bashkitë e vendit, falë edhe mbështetjes së MSHMS-së duke investuar dhe duke mbështetur nëpërmjet Fondit Social shërbimet e dedikuara shtresave në nevojë, do të jetë një nga pikësynimet dhe një nga objektivat për vitin 2024”, nënvizoi ministrja Koçiu.

MSHMS ka mundësuar nëpërmjet Fondit Social ngritjen e 12 shërbimeve të reja në 12 bashkitë e vendit gjatë vitit 2023 më 4 000 përfitues.

Në këto shërbime sociale komunitare janë ofruar 3 tipologji të reja duke e dërguar shërbimin pranë familjeve në nevojë, si asistenca shtëpiake për të moshuar, njësitë e levizsshme në zonat rurale për PAK dhe shërbimet e emergjencës për kategoritë vulnerabël.

https://www.facebook.com/share/v/SSLmBGAVcJEy2HAH/?mibextid=WC7FNe