Aeroporti i ri turistik i jugut në Gjirokastër, Rama: Gara për ndërtimin brenda 6 mujorit të 2024

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se gara për ndërtimin e aeroporti të ri turistik të jugut, pritet të hapet brenda 6 mujorit të parë të këtij viti.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga fusha e vjetër ajrore e Gjirokastrës, ku pritet të ndërtohet aeropoti.

Rama tha se “në fushën e vjetër ajrore të Gjirokastrës në bazë të studimeve të kryera me ndihmën e ekspertizës ndërkombëtare në zonën Sarandë-Gjirokastër, do të ndërtohet Aeroporti i ri Turistik i Jugut, gara për të cilin pritet të hapet brenda 6 mujorit të parë të këtij viti”.

Aeroporti i ri pritet të jetë një pikë e rëndësishme zhvillimi dhe do të sjellë më shumë punësim dhe zhvillim ekonomik të kësaj zone.

Aeroporti i Gjirokastrës ka një traditë historike. Linja e parë ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë nisi më 11 gusht të vitit 1929 dhe ishte operative vetëm në kushte optimale të motit.

Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike, etj të vendit tonë edhe fluturimet në aeroportin e Gjirokastrës do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.

Afërsia gjeografike me Sarandën dhe bregdetin e Jonit do të bënte që turistët që do të mbërrijnë në Gjirokastër me linjat ajrore krahas vlerave të qytetit të gurtë të zgjerojnë guidat e tyre edhe me udhëtime në pjesën e bregdetit.