Saranda ndez dritat e festave, kryebashkiaku Oltion Çaçi: Saranda alternativë turistike edhe për sezonin e dimrit!

Saranda nga mbrëmja e së mërkurës ka hyrë zyrtarisht në ditët më domethënëse dhe më të bukura të 2023. Ndryshe nga vitet e kaluara ky rit i çeljes së dritave në Sarandë u transferua nga qendra e qytetit tek shetitorja e re.

Risi e këtij viti ka për dekor funksional krahas bredhit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri edhe stacionimin e rreth 30 shtëpizave prej druri, të cilat janë marrë nga qytetarë të ndryshëm për biznes të llojshmërive të ndryshme nga sherbimi tregtar tek suveniret.

Ceremonia nisi në orë 18.00 me Warm Up me këngë me Dj. Për të vijuar mandej me fjalën nga kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi: Mirëmbrëma Saranda. Ju uroj të gjithëve Gëzuar Festat! Saranda tashmë dihet që në verë është destinacioni numër një turistik në Shqipëri por për herë të parë mendojmë se Saranda do të jetë një nga alternativat turistike edhe për sezonin dimëror në Shqipëri. Për festat e fundvitit ju uroj dashuri në familje!

Kryebashkiaku Çaçi ka falënderuar edhe Z. Christian Canacaris, Drejtori i Përgjithshem i Raiffeisen Bank në Shqiperi, i cili mundësoi me ndriçimin e zbukurimin e Pemës së Krishtlindjeve në Sarandë.

Nga ana e tij z. Kanakaris në anglisht u shpreh:

“Më vjen shumë keq që nuk flas dot shqip pas 20 vjetëve këtu. Unë dua të falënderoj shumë kryetarin e bashkisë për këtë trend kaq të bukur Krishtlindjesh në Sarandë. Mua më bëhet shumë qefi nëse ju do ta shijoni dhe ne do të vazhdojmë si Raiffeisen ta mbështesim Sarandën dhe kryetarin e bashkisë për gjithë idetë që do të ketë për të zbukuruar dhe për të bërë më të mirën për këtë qytet. Dhe në këtë rast Raiffeisen është në mes por ne gjithësesi jemi një”, tha ai.

Mandej festimet kanë vijuar me Koncert nga Grupi i Violinave dhe Koncert Festiv me këngëtarin Saimir Braho.

Shetitorja u kthye në ditët në vijim në një mini-qytezë festash me një super-atmosferë për të gjithë qytetarët dhe të ardhurit për fundvit.