Dhunë, kërcënime dhe një video skandaloze, të pathënat e ndeshjes Luftëtari-Butrinti
3 kartona të kuq shkuan për fubollistët e të dyja skuadrave dhe për trajnerin e Butrintit, Neritan Novi, ish-futbollist i Luftëtarit vite më parë. Por Novi nuk u pajtua me vendimin e arbitrit duke hyrë gjithashtu edhe në fushën e lojës. Diçka krejtësisht e ndaluar dhe e dënueshme!
Përplasje mes stafeve të skuadrave ka pasur edhe në dhomat e zhveshjes. Trajneri i Butrintit e ka vijuar debatin edhe në rrjetet sociale me një ish-arbitër, i cili tashmë kontribuon përmes faqes “Kategoria e Dytë” në Instagram, për analiza e raportime rreth skuadrave që luajnë në këtë kategori.
Një video e këtij debati qarkullon në rrjet prej disa orësh, ku Neritan Novi shfaqet me një gjuhë të rëndë fyese dhe akuza ndaj ish-arbitrit me të cilin analizonte ndeshjen Luftëtari-Butrinti. Gjithçka ndodhi sot brenda e jashtë lojës është shumë e shëmtuar.
Përveçse një ish-futbollist i Luftëtarit, Novi është gjithashtu edhe mësues në shkollën “Koto Hoxhi”. Me siguri s’mund të jetë krenar para nxënësve të tij për gjestet antisportive që ka bërë sot në fushën e lojës e jashtë saj dhe as për komunikimin live që pati në rrjetin Instagram. Më së paku ai i detyrohet një ndjesë publike Luftëtarit, Gjirokastrës e nxënësve të tij.
Skandaloze janë edhe mesazhet që jepen në faqen e klubit Butrinti, ku kërcënohet me “kthim borxhi” në ndeshjen e kthimit në Sarandë. Si mund të përdoret kjo gjuhë e tillë që nxit e legjitimon pastaj dhunën në fushën e lojës e tribunat e stadiumeve? Ai që bën thirrje për dhunë e gjeste antisportive s’ka asnjë ndryshim prej atyre që shkulin karriget nëpër stadiume, atyre që gjuajnë me grushta e hedhin flakadanë apo atyre të tjerëve që kërcënojnë në rrjetet sociale. Këto s’kanë të bëjnë me futbollin!