Denaj në Xarrë: Fermerët model suksesi në prodhimin e tregtimin e mandarinës

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vizitoi nga afër disa fermerë e pika grumbullimi në Xarrë, Sarandë, ku po punohet në vjeljen finale të produkteve.

“Së bashku me zv. Ministrin Kote, që e lindi dhe e zhvilloi këtë ide dhe me Fatmir Plakun, njeriun e punës që prej vitesh merret me prodhimin e agrumeve, pamë nga afër pemtarinë gati për vjelje dhe pikën e grumbullimit të manderinës “P.P – Fruit”, të cilën e administrojnë djemtë e tij Fabioli dhe Donaldi”, tha Denaj në një postim në rrjetet sociale.

Denaj vlerësoi se përmirësimi i infrastrukturës së ujitjes, jo vetëm do të lehtësojë punën e tyre, por do rrisë cilësinë e produktit duke e çuar atë drejt tregjeve elitare.

“Vijuam takimet me kryetarin e bashkisë Konispol, Erges Dule, në “Melifruits shpk”, një bashkim idesh, kapitali dhe energjie në funksion të prodhimit, trajtimit dhe shitjes së agrumeve, ku me një projekt ambicioz synojnë ta çojnë më tej kompaninë drejt agroturizmit. Në pikën e grumbullimit “Eljo Fruit” me Dritanin dhe fermerë të Konispolit, diskutuam mbi ecurinë dhe mbarëvajtien e tregtimit të manderinës. Ndërsa “Vëllezërit Agora” dhe bashkëpunëtorët e tyre Rexhep Lame dhe Nertil Dauti, kanë krijuar një model suksesi në tregtimin e mandarinës “ekselente” të Konispolit”, theksoi Denaj.

Bashkimi i operatorëve lindi në Xarrë, me mbështetjen e USAID në 1993,  ku disa fermerë bashkuan punën, idetë, energjinë e tokës për të dhënë frytet e eksporteve të mandarinave klementinë më të mirë në rajon.