Bido: Do ta provoj qartazi se Beleri është akuzuar si pjesë e masakrës së Peshkëpisë

Drejtori i përgjithshëm i Arkivit të Shtetit, Ardit Bido vijon përplasjen ligjore me Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës.

Përplasja në gjykatë mes palëve ka ardhur pasi Bido ka deklaruar se Beleri ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Peshkëpisë. Lidhur me këtë deklaratë, kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës ka kallëzuar për shpifje në gjykatë kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivës në Shqipëri, Ardit Bido. Ndërsa ky i fundit ka depozituar një kundërpadi ndaj Belerit në Gjykatë.

Bido në përfundim të seancës së sotme gjyqësore, në një deklaratë për mediet theksoi se do ta vijojë betejën e tij për të faktuar se Fredi Beleri ka marrë pjesë në masakrën e Peshkëpisë.

“Zoti Beleri ka pretenduar se unë jam një shpifës maniak kur kam folur për masakrën e Peshkëpisë, në të cilën unë do ta provoj qartazi se ai është akuzuar nga prokuroria e Janinës se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, siç ishte MAVI dhe është akuzuar për masakrën e Peshkëpisë.”

Lidhur me betejën ligjore që po zhvillohet në Gjykatë, Bido tha se Beleri nuk ishte i pranishëm në seancë.

“Ai u shmang edhe këtë herë. Nuk u paraqit. Deklaroi vullnetin e tij që të mos jetë pjesë personalisht në gjykim. Zoti Beleri është një poshtërues i Republikës së Shqipërisë dhe simboleve kombëtare të saj, e vendosur jo vetëm nga gjykatat e këtij vendi vetëm, por nga gjykata e Strasburgut. Zoti Beleri ka qenë një armëmbajtës pa leje dhe shumë shpejtë do të jetë edhe një shpifës, pasi ai gjithmonë ka luajtur me këto teknikat për t’iu shmangur drejtësisë, për të mos u përballur kurrë me drejtësinë sa herë e ka pasur mundësinë për diçka të tillë”, theksoi Bidon në deklaratën e tij përpara medieve.

Gjykata, në mungesë të Belerit, vendosi shtyrjen e seancës për një datë tjetër. Bido ritheksoi se nga këto padi do të provohet se Beleri ka marrë pjesë në atë që njihet si masakra e Peshkëpisë, në vitin 1994.

Beleri fitoi në zgjedhjet vendore të 14 Majit me 19 vota më shumë se Jorgo Goro kandidati i PS, por pavarësisht fitores në zgjedhje ai ende nuk është betuar dhe nuk e ka marrë detyrën, pasi Fredi Beleri po qëndron në burg që nga data 12 maj, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje.