“Beleri” na ndau, Idrizi: Jo një tryezë me ata që e mbështesin, përballë Greqisë, jemi me Ramën

Shpëtim Idrizi ka folur për herë të parë për mungesën në tryezën e opozitës të thirrur nga Gazmend Bardhi. Idrizi tha se PDIU e ka shumë të vështirë të ulet në një tryezë me ata që e mbështesin Fredi Belerin.

Ndërkohë për debatin mes Tiranës dhe Athinës Idrizi tha se e mbështet Ramën, por që në parlament është në opozitë me të.

Mbështetja për Fredi Belerin nga ana e Sali Berishës duket se ka qenë shkaku kryesor pse 4 deputetë të PDIU nuk shkuan në takimin për unifikimin e opozitës të thirrur nga Gazmend Bardhi.

Idrizi: Ai ishte një takim pozitiv, por për mua dhe deputetët e PDIU-së do të jetë gjithmonë e vështirë që të ulemi me atë pjesë të opozitës që mbështet Fredi Belerin. Nuk e kam ndjerë këtë mbështetje për kauzat e PDIU-së, që e kemi shtyrë ne më shumë, çështjen e Çamërisë.

Shpëtim Idrizi nuk do që të përfshihet në debatet e brendshme të Partisë Demokratike, por shpreh gatishmërinë për komisionet hetimore parlamentare.

Idrizi: Në parim po, do të takohem shpejt me Bardhin.

Por teksa me qeverinë është në opozitë kur bëhet fjalë për politikën e brendshme, Idrizi thekson se mbështet Ramën në raport me Greqinë.

Idrizi: Në politikën kombëtare nuk ka raporte personale. Ky miku i Ramës në momentin që u cenuan interesin e Greqisë, nuk e njeh më, një Greqi që nuk njeh Kosovën dhe çështjen e çamëve, dhe mbështet njerëz me rekorde separatiste.

Duke e quajtur person me rekorde kriminale ai thotë se Fredi Beleri nuk përfaqëson minoritetin grekë. Madje vë në dukje se edhe vetë mund t’ju gjejë një kandidat më të mirë.

Idrizi: Fredi Beleri është një person me të cilin duhet të merrej drejtësia shumë më herët për shkak se ka rekorde kriminale. Ka figura të tjera shumë më të nderuara dhe mua t’ua gjej unë nëse duan, që do ta përfaqësonin shumë më mirë minoritetin grek.