Media greke “Kathimerini”: Çështja Beleri “bllokada” e parë greke për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së
Me titull “Bllokada” e parë greke për Shqipërinë për shkak të çështjes “Beleri”, media greke “Kathimerini” në një artikull të saj thekson se Athina “ngrin” perspektivën që Shqipëria të nisë negociatat për grupin e parë të kapitujve të anëtarësimit në BE.
Sipas “Kathimerini”, përshkallëzimi thelbësor i qëndrimit të ashpër ndaj Tiranës për shkak të shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të kryebashkiakut të burgosur të Himarës, Fredi Beleri, është vendimi i Greqisë për të mos dhënë pëlqimin tek letra e përbashkët e 27 vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë që ajo të fillojë negociatat për hapjen e grupit të parë të kapitujve të anëtarësimit.
Megjithëse u gjet një formulë për të çuar përpara negociatat për këtë paketë specifike me Maqedoninë e Veriut, pasi Bullgaria pranoi propozimin e kompromisit të paraqitur nga presidenca spanjolle, kjo nuk u bë për Shqipërinë.
Vlen të theksohet se paketa e parë për çështjet themelore që duhet të zgjidhë çdo vend kandidat përfshin pesë kapituj, përkatësisht ata që kanë të bëjnë me:
•Gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
•Drejtësinë , lirinë dhe sigurinë.
• Prokurimin publik.
• Statistikat.
• Kontrollin financiar.
Kathimerini shkruan se Athina mund të rishikojë qëndrimin e saj nëse Tirana do të tregojë se ka vend për diskutim dhe jo të ekspozojë një shfaqje force nga ana e zotit Rama, brenda apo jashtë Shqipërisë.
Greqia ka kërkuar në të gjitha nivelet e mundshme që zotit Beleri t’i jepet mundësia për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, gjë që deri tani është refuzuar nga gjykatat shqiptare.
Ndërkohë burime diplomatike nga Brukseli sqarojnë se në fakt bëhet fjalë për një letër të cilën kanë hartuar 27 vendet anëtare të BE për Shqipërinë dhe Greqia nga ana e saj nuk ka dhënë ende pëlqimin. Gjithashtu nuk ka një referim zyrtar për këtë çështje deri tani nga ana e ministrisë së Jashtme greke.