Mbyllet përkohësisht Bypass-i i Vlorës, ARRSH: Punime për rivitalizim
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton mbylljen e përkohshme të qarkullimit në Bypass-in e Vlorës. Shkak për këtë janë punimet e parashikuara në këtë aks rrugor për rivitalizimin dhe mbrojtjen e skarpateve nga rënia e gurëve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një reagimi në rrjetet sociale, thekson se mbyllja e qarkullimit do të bëhet duke nisur nga data 10 nëntor dhe do të nisë nga kilometri i 12-të që fillon mbas fshatit Kaninë deri në kilometrin e 20-të, në afërsi të kryqëzimit që del në Radhimë.
“Në Bypass-in e Vlorës do të kryhen punimet për rivitalizimin dhe mbrojtjen e skarpateve nga rënia e gurëve”, njofton ARRSH.
“Për kryerjen e këtyre punimeve është e nevojshme mbyllja e përkohshme e trafikut, konkretisht nga km 12 që fillon mbas fshatit të Kaninës, deri në km 20 në afërsi të kryqëzimit që del në Radhimë. Bllokimi i trafikut në këtë segment do të kryhet duke filluar nga data 10.11.2023 deri në përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme për t’u kryer pa prezencë trafiku”, vijon njoftimi.
“Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të këtij projekti”, përfundon njoftimi i ARRSH.