Kumbaro: Rreth 9 mln turistë deri më 31 Tetor

Pas bumit turistik veror, Shqipëria vijon të mbetet zgjedhja e turistëve të shumtë edhe përgjatë muajve të fundit. Deri më 31 Tetor janë rregjistruar rreth 9 milionë turistë dhe një numër i lartë i tyre ishte edhe në muajin Tetor sipas ministres Mirela Kumbaro.

“Jemi në një moment ku sezoni vazhdon, asnjëherë nuk kemi folur për turizëm në Nëntor. Kemi pritur deri në 31 tetor, rreth 9 milionë vizitorë, ndërsa vetëm ky tetor pati 89% më shumë vizitorë të huaj se tetori i vitit të shkuar.”

Kumbaro theksoi se synimi është që të kemi turizëm të mirëfilltë përgjatë gjithë vitit.

“Shqipëria vazhdon të mbetet shumë atraktive, shumë joshëse. Jo vetëm me bregdetin, por me turizmin e aventurës, turizmin e malit, agro-turizmin…të cilat janë pasaportat tona shumë të rëndësishme për të shtrirë turizmin në territor dhe në kohë, sepse duam të shkojmë në 12 muaj turizëm. Potencialin e kemi!”

Për të promovuar sa më shumë Shqipërinë turistike tashmë është hapur edhe konkursi ndërkombëtar i fotografisë dhe videove “Wanderlust in Albania”, detaje te cilat i dha drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizimit, Zana Çela.

“Të gjithë fotografët profesionistë, por jo vetëm, çdo i apasionuar nga mosha 16 e sipër të marrin pjesë në konkursin tonë me foto dhe video reels të bëra brenda këtyre dy viteve. Pra, Shqipëria turistike e dy viteve të fundit. Dëshira jonë është që të përzgjedhim 300 foto dhe 100 video reels, pra fituesit e konkursit do jenë 300 foto apo 100 video reels.”

Nga konkursi “Wanderlust in Albania” do të përzgjidhen 10 fotografitë dhe 10 videot reels më të bukura për secilën kategori përmes një jurie profesionistësh dhe shpallja e fituesve të konkursit do të realizohet në një mbrëmje gala në 12 Dhjetor.