Mashtrim kompjuterik, Prokuroria e Gjirokastrës cakton masat e sigurisë për 8 shtetas

Prokuroria Gjirokastër vlerësoi të ligjshëm arrestimin e 8 shtetasve për mashtrim kompjuterik nëpërmjet platformave fiktive të kriptovalutave dhe caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 6 prej tyre dhe arrest shtëpie për 2 të tjerë.

Në kuadër të këtij procedimi, nga ana e prokurorisë janë kryer veprime duke përdorur metoda proaktive, në bashkëpunim me sektorin e hetimit të Krimeve Ekonomiko- Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale si dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të së cilave janë identifikuar dy ambiente, të cilat ishin përshtatur si “Call Center”, në qytetin e Tiranës, në të cilat ushtrohej aktiviteti i mashtrimit të shtetasve të huaj, nga disa kontinente të ndryshme, duke i mashtruar këta shtetas për të investuar në tregje fiktive të kriptovalutave dhe më pas përvetësimin e shumave të konsiderueshme të parave në monedha huaja.

Në kuadër të këtij procedimi penal, në 8 nëntor, në qytetin e Tiranës u finalizua operacioni policor, ku u ushtruan kontrolle në dy ambientet ku zhvillohej aktiviteti i mashtrimit brenda të cilit u gjendën 75 punonjës të paregjistruar në organet tatimore, të cilët mashtronin shtetasit e huaj nëpërmjet platformave fiktive.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 servera me të dhëna, 2 pajisje “DVR”, 75 pajisje kompjuterike të llojit laptopë, 25 pajisje kompjuterike të llojit PC, 35 aparate celulare, disa blloqe shënimesh me emrat e personave të mashtruar dhe shumave të përvetësuara, një shumë parash prej 13 500 eurosh dhe një makinë luksoze e viteve të fundit, e cila dyshohet se është produkt i pastrimit të parave nga aktiviteti i mashtrimit.

U arrestuan në flagrancë 8 shtetas, të cilët rezultuan se ishin bashkëpronarë dhe punonjës në dy subjektet “Call Center”, konkretisht shtetasit E.S. 32 vjeç, banues në Tiranë, E.P. 28 vjeç, banues në Tiranë, M.S., 29 vjeç, banues në Tiranë, E.H. 23 vjeç, banues në Fushë Krujë, A.H. 32 vjeç, banuese në Tiranë, S.B. 35 vjeç, banues në Vlorë, F.H. 27 vjeç, banuese në Tiranë dhe E.M. 26 vjeç, banuese në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, më datën 11 nëntor 2023, vendosi vleftësimin si të ligjshëm të arresteve në flagrancë dhe ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit E.P. dhe A.H. dhe masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit E.S, M.S., E.H, S.B, F.H. dhe E.M.