“Beleri”, Gjermania “rrëzon” Greqinë: Rruga e integrimit të Shqipërisë nuk duhet të ndërpritet
“Çështja Beleri nuk duhet të bilaterizohet dhe të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE”- është përgjigjja që ministria e Jashtme gjermane i ka dhënë gazetës greke Ta Nea, në një reportazh të saj që publikon orët e fundit.
Për Shqipërinë, kancelaria dhe qeveria gjermane besojnë se është vendi me më shumë hapa drejt anëtarësimit në BE dhe se kjo rrugë nuk duhet të ndërpritet për shkak të një “bilateralizimi” të mosmarrëveshjeve me Greqinë për çështjen Beleri- thuhet në artikullin e gazetës greke.
“Për rastin e kandidatit për kryebashkiak në Himarë, Fredi Beleri , aktualisht po kryhen hetime nga autoritetet shqiptare. Duhet të presim procesin aktual në Shqipëri”, thuhet në reagimin e ministrisë gjermane. “Përcaktues për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është ekskluzivisht plotësimi i kritereve të anëtarësimit, përfshirë edhe “acquis”-në e BE-së”, thuhet në përgjigjen e saj, e cila konkludon: “Është e rëndësishme që kjo të jetë gjithashtu pikë referimi për të gjitha shtetet anëtare në vendimet e tyre për hapat individualë në procesin e anëtarësimit. “Bilateralizimi” i procesit të anëtarësimit nuk është i pranueshëm”.
Sipas artikullit çështja Beleri është diskutuar në vizitën e kryeministrit Mitsotakis në Berlin dhe takimin e tij me kancelarin Scholz, jo aq shumë sa ka zënë vend të gjërë në bisedimet e dy delegacioneve qeveriatare atje. Qëllimi kryesor i qeverisë gjermane -thekson gazeta ta NEA- është të parandalojë ndërprerjen e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, për shkak të konflikteve me një vend tashmë anëtar të BE-së, përtej përmbushjes së vetë kritereve të anëtarësimit.
Një rast i “bilateralizimit” është konflikti aktual i Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, ndaj dhe qeveria gjermane nuk do të donte që çështja Beleri të rezultonte me një “bilateralizim” edhe të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, nëse Athina vendos të marrë masa specifike dypalëshe kundër Tiranës.
Për këtë arsye, në rastin Beleri, Ministria e Jashtme gjermane insiston në qëndrimin se “bilateralizimi i procesit të anëtarësimit” është i papranueshëm thotë gazeta, e cila gjithsesi thekson se vendet anëtare të BE-së, midis tyre edhe Greqia kërkojnë si kriter anëtarësimi, zbatimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtës europiane që në rastin e Shqipërisë lidhet edhe me mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek.