Ja data kur nis gjyqi për Fredi Belerin

Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 12 tetor, ora 09:00 për seancën e parë të gjyqit ndaj Alfred Belerit.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës do të ulet në tavolinën e të pandehurve, si i akuzuar nga SPAK për “korrupsion në zgjedhje”.

Çështja në ngarkim të tij do të shqyrtohet nga gjyqtari i posaçëm Erjon Çela.

Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij.

Gjykata e Lartë ka rrëzuar më parë dy rekurset e bëra nga Alfred Beleri, që qëndron në qeli prej 12 majit.

Kolegji Penal vendosi të mos pranojë kundërshtitë e Belerit ndaj arrestit në flagrancë dhe për ndryshim të masës së sigurisë “arrest në burg”.

Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin.

Për çështjet e tij është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimit e tij të paligjshëm e politikë.

Në një intervistë për gazetën greke Kathimerini, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, i kërkon kryeministrit Rama që t’i shpjegojë se cili ligj nuk e lejon të betohet në qeli, duke i përmendur precedentë të mëparshëm.

Beleri në një linjë me qeverinë greke thotë se mbahet në burg politikisht dhe se nuk ka folur kurrë për helenizimin e Himarës.