Sali Berisha: Horri Edi Rama po mban në burg padrejtësisht heroin Fredi Beleri. S’ta ka borxh Greqia, që po e provokon

Sali Berisha, në mbledhjen e grupit të deputetëve të vet, deklaroi se kryeministri Edi Rama “mban në burg Fredi Belerin, absolutisht si të burgosur politik, vetëm e vetëm që të skadojë 90-ditëshi i afatit që ai të mos betohet si kryebashkiak i Himarës”.

“Iu them atyre që besuan se të besosh nacionalizmin e Edi Ramës është si të besosh turpin. Dhe kini kujdes atë që ka thënë Niçja; se ky nacionalizëm është streha e fundit e horrave.

Po ç’ka të bëjë me nacionalizmin respektimi i ligjeve tona? Përkundrazi ka të bëjë me nacionalizmin qytetar, shqiptar sepse ti je njeri i ligjit, i kushtetutës.

Se ti për një shqiptar ke shkuar në burg dhe ke dhënë mandatet dhe betimet, sepse ligji po nuk qe i dënuar nuk e ndalon.

Shumë thjeshtë, një parim shekullor i prezumimit të pafajësisë. Kurse këtij që don t’ia marrësh me çdo kusht mandatin për pronat e tua, të klanit tënd mafioz dhe klaneve të tjera mafioze, këtij i thua se me thotë policia dhe drejtësia e pavarur që nuk mund të betohet. Ka gjë më të turpshme.

Enver Hoxha i bënte këto, por një drejtues i një vendi të lirë nuk e bën dot kurrë këtë. E bën vetëm për interesa të tij mafioze dhe i çon marrëdheniet me një fqinj, i cili për hir të së vërtetës duhet të themi këtu, pavarësisht se ka pasur probleme në marrëdhëniet tona, por në tërësi ka predominuar, bashkëpunimi, miqësia.

Greqia në asnjë rast që nga vitet ’90 e gjer dje asnjëherë nuk është bërë pengesë në proceset e integrimit evropian, euroatlantik të Shqipërisë”, tha Berisha.

“Mund të ketë patur rezervat e veta, mund të ketë patur hezitimet, por nuk i ka lejuar vetes kurrë, asnjëherë. Tani të kërkon të zbatosh ligjin tënd dhe i thua po më ndërhyn.

Çfarë po ndërhyn? Prevalon interesat mafioze të tij mbi interesat e vendit, mbi idealet demokratike të shqiptarëve dhe natyrisht e çon tjetrin drejt atyre qëndrimeve, që nuk i kanë pasur ndonjëherë.

Me fqinjët gjithmonë krijohen probleme, por problemet zgjidhen dhe nuk kanë shkuar ndonjëherë në atë që të na pengojnë apo lobojnë kundër, cilido që ka qenë në pushtet”, shtoi Berisha.