Rama i prerë për Belerin: Pala greke nuk dëgjon asnjë argument, por vetëm këmbëngul. S’kam asgjë të re për të thënë

Kryeministri Edi Rama ka folur për çështjen Beleri në Asamblenë e Partisë Socialiste. Rama ka theksuar se pala greke në këtë çështje nuk pranon asnjë argument po vetëm këmbëngul për lirimin e tij.

Por ai ka theksuar se qasja e qeverisë kundrejt drejtësisë së re në vend ka ndryshuar. Sipas tij qeveria nuk ta të drejtë që të ndërhyjë në punët e drejtësisë.

“Shikoni me kujdes se çfarë po diskutohet aktualisht mes nesh dhe Greqisë, më saktë, se çfarë pala greke po kërkon prej qeverisë, prej meje personalisht.

Pse ndodh kjo, dhe si ka mundësi që pala greke nuk dëgjon asnjë argument, por vetëm këmbëngul, që siç shprehen ata, vullneti yunë politik duhet ta zgjidhë siç e mendojnë ata, një çështje për të cilën, këto organe të reja të drejtësisë, i kanë ndërmarrë veprimet e tyre dhe kanë dhënë vendimet e tyre, pavarësisht nga ne ose ata. Për çështjen nuk kam asgjë të re për të thënë dhe nuk kemi asnjë debat real për të zhvilluar me palën greke për thelbin e çështjes.

E nisa këtu, sepse kjo qasje e palës greke, tregon në fakt se raporti i ri i përmbysur kokë e këmbë i pushtetit tonë politik me sistemin e drejtësisë po kalon përmes një sporove shumë të fortë.

Qasja jonë është radikalisht e re në historinë e pushtetit politik në Shqipëri dhe për t’u mos u përzier as me gojë, e jo më me dorë në punët e organeve të drejtësisë, por për t’i mbështetur e inkurajuar ato pa kushte, në veprimtarinë e tyre pa kushte.

Është një qasje që bie ndesh shumë brutalisht, me një inerci të tmerrshme të historie 111-vjeçare, që i ka mësuar njerëzit brez pas brezi, të mendojnë se pushteti i vërtetë politik, është ai që e tërheq për hunde pushtetin gjyqësor, pavarësisht se çfarë thotë Kushtetuta apo ligji,” tha Rama.