Teatri Eksperimental, shfaqje në Kalanë e Lëkursit, në Sarandë
Një ndër stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023 është dhe shfaqja e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, e cila do të zhvillohet në Kalanë e Lëkursit, në Sarandë.
Teatri Eksperimental do të sjellë mbrëmjen e 16 gushtit shfaqjen “Gruaja e thyer”, dramë e përshtatshme për një publik mbi 16 vjeç.
Muriel, 43 vjeç, pas pesë vitesh që jeton e vetme dhe e mbyllur në apartamentin e saj, mezi pret të nesërmen për t’u takuar me bashkëshortin dhe të birin e mitur, që jeton me të atin. Një shfaqje kontemporane, ku gjithçka buron nga e brendshmja e personazhit: lëvizja trupore, fjala, imazhi, muzikaliteti, e kënduara dhe e luajtura e muzikës “live”.
Kjo shfaqje ka pasur mbështetjen e Bashkisë Sarandë dhe të Ministrisë së Kulturës.
Ministrja Margariti ftoi të shkarkohet aplikacioni TEA për të qenë më të informuar mbi ngjarjet artistiko-kulturore që ofron ky sezon dhe që me mbështetjen e ministrisë së Kulturës, po shkojnë atje ku është publiku.
“Me entuziazmin që dhuron folklori, me shfaqje për fëmijë, teatër e panaire artizanati vijon kalendari kulturor veror në qytetet ku shqiptarë e turistë të huaj kanë zgjedhur të pushojnë”, është shprehur Margariti.