Syri Kaltër, nis rikonstruksioni i rrugës dhe një plan për lëvizjen me tren elektrik

Rruga e Syrit të Kaltër, rreth 30 minuta larg nga Saranda, nuk do të jetë më problematike për turistët vendas e të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi bën të ditur se “kemi ndërhyrë për të zgjidhur infrastrukturën e një prej destinacioneve më të kërkuara në vend”.

“Rehabilitimi i kësaj rruge, përveç korsisë së makinave, përfshin korsi biçikletash dhe këmbësorësh, si dhe shtigje turistike. Po studiohet ndërtimi i parkimit jashtë saj dhe lëvizja në rrugë do të bëhet me tren elektrik”, – tha Klosi.

Syri i Kaltër i konsideruar si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me  harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

Syri i Kaltër tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota.