Te Syri i Kaltër, aty ku qytetarit perëndimor “i bie maska”

Ishte qasje interesate ajo e para pak ditëve nga Mero Baze mbi atë se ç’po i tërheq të huajt në Shqipëri, pra në zbërthim të valës së madhe turistike, ku gazetari i njohur e vinte theksin ta parregullat shqiptare. Pra, sipas tij, është pikërisht shkujdesja në Shqipëri, fakti që këtu ende “nuk ka shtet”, ajo që i bën të huajt të dynden në Shqipëri, duke i shijuar kënaqësitë e stinës pa “policë mbi kokë”, ndryshe nga vende të tjera ku pikërisht rregullat mund të të mërzisin.

Shprehjen me adekuate të kësaj e has te Syri i Kaltër, aty ku ngjan si eksperiment social fakti i vendosjes të jo një por disa tabelave ku thuhet se nuk duhet të hidhesh aty, te Syri. Eksperiment social për të treguar atë që thuhet rëndom se po të mos qe ligjzbatimi i fortë në Perëndim, edhe qytetarët e atjeshëm do ishin po kaq të “jocivilizuar” sa ç’jemi ne. Ndaj, po të mos qe gjuha e tyre teksa komunikojnë ngazëllueshëm me njëri-tjetrin duke shijuar atë mrekulli natyrore ku gjenden, nga ajo që bëjnë, thyerja e një rregulli(në tabelë nuk sqarohet se përse nuk duhet të hidhesh), i merr qartazi për shqiptarë që “gjejnë shesh e bëjnë përshesh”.

Ndërsa për ne është normale që ajo që shkruhet nuk zbatohet, te ata ngjan të përjetohet si diçka e natyrës ekzotike, detaj për tërheqje turistike.

Syri i Kaltër pra, është ndër të tjera edhe vendi ku perëndimorët shpërfaqin moralin apo etikën shoqërore plot pikëpyetje dhe për këtë mjafton një grumbull me mbetje plastike mu në vendin më të populluar aty, te një ballkon i improvizuar mbi Sy, ku kryen hedhjet plot shpirt aventure, në injorim të plotë të ndalesës “mos u hidh”. Ana shqiptare në këtë rast është gjithashtu dhe mungesa e një koshi plehrash aty.

Një rikonstruksion i dy viteve më parë te Syri i Kaltër përfshiu një rrugë ndryshe me theks pedonal, me trotuar e pistë vrapimi, si dhe një parkim gjigand në hyrje. Te zemra e Syrit asgjë nuk ka ndryshur, as është hequr e as është shtuar. Fjala vjen, një staf që të merret me pastrim terrenesh nga mbetje të ndryshme, nuk e sheh asgjëkundi. Dhe kur flitet për staf duhej që aty të ishte diçka ndryshe nga ç’është.

Syri i Kaltër duhej të kishte edhe shtëpiza druri, edhe shtigje pyjore, edhe terrene sportive, kënd lojrash për fëmijë, varka për xhiro romantike, pra një habitat me shumë oferta e shumë shërbime, gjë që do ta bënte të ishte atraktiv në çdo stinë, duke thithur dhe prurje të turizmit të brendshëm edhe në mote të ftohta.

Se fjala vjen, pista e vrapimit është krejt jashtë loje aty, hem nga fakti se nuk ka zonë urbane të afërt me banorë të së cilës mund të vijnë aty për vrap(Saranda apo Delvina janë gjysmë ore larg) e hem nga ajo qa aty mjafton që rruga bëhet në këmbë, shko e hajde, pa qenë nevoja për vrap. Pista e vrapimit do vlente nëse brenda parkut do kishte turistë rezidentë, që fjala vjen do rrinin një, dy, tre, katër ditë apo dhe një javë a me tepër, në shtëpiza druri.

Ndaj nuk kuptohet se përse Butrinti i mirëmenaxhuar u jepet amerikanëve, ndërsa Syri i Kaltër mbetet i askujt në kuptim po menaxherial, një pasuri që kudo në botë do ishte spektakël turizmi.(Tesheshi.com)