Konispol, Ministria e Bujqësisë dhe BB 8 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës së vaditjes për fermerët e Xarrës, Vrinës, dhe Mursisë

Një projekt i ri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me Bankën Botërore, me një financim prej 8 milionë euro, pritet të mundësojë vaditjen përmes një teknologjie të re në rreth 2500 hektarë sipërfaqe për fermerët në Xarrë, Vrinë dhe Mursi, të cilët do të përfitojnë vaditje me presion në parcelë, deri në çdo rrënjë të mbjellë në tokat e tyre.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca në një takim me fermerë të zonës u shpreh se implementimi i tubacioneve të reja që do të përdorin enegjinë diellore për të ulur kosot pritet të përmirësojë skemën ujitëse ekzistuese, nëpërmjet instalimit të tubave me presion në vend të kanaleve të hapura sekondare duke përdorur si burim ujor, ujërat e kanalit kryesor ujitës të rezervuarit të Janjarit dhe ujërat e rezervuarit të Mursisë. Projekti do të mbështesë edhe ndërtimin e një stacioni të ri pompimi te rezervuari i Mursisë, që do t’i shërbeje kësaj skeme për ujitje me presion nëpërmjet rrjeteve dytësore në fushat e Mursisë, Vrinës dhe Xarrës.

“Kemi miratuar së bashku me Bankën Botërore një projekt të ri me një financim prej 8 milionë euro, i cili do të mundësojë krijimin e një stacioni të ri pompimi në bashkinë e Konispolit, i cili do të pajiset edhe me panele diellore për të ulur kostot e energjisë, në mënyrë që stacioni i pompimit të vihet në funksion të vaditjes. Më tej, e gjithë pjesa e kanaleve dytësore, do të riparohet, një skemë e re ujitje do të vihet në funksion në mënyrë që ujitja të vijë deri në parcelë me ujitje me presion”, tha ministrja.

E gjithë teknologjia që do të përdoret vjen për herë të parë në Shqipëri.

“Do ta pilotojmë këtu (në Mursi) edhe në një sipërfaqe prej rreth 500 hektarë në Divjakë. Më pas, kur të shohim përfitimety reale të kësaj teknologjie të re, do të mund ta vendosim edhe në zona të tjera bujqësore të Shqipërisë”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, ky investim tregon angazhimin e qeverisë shqiptare ndaj një bujqësie prodhuese e bashkëpunuese.

“Ne vijojmë ta bëjmë këtë mbështetje ashtu sikurse edhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë nëpërmjet Skemës së Naftës, edhe me mbështetjen nga programi IPARD ku kemi mundur të mbështesim shumë nga fermerët në këtë zonë me mjete të mekanikës bujqësore (me zetorë)”, bëri të ditur Krifca.

Detajet teknike se si do të funksionojë kjo infrastrukturë e re u dhanë nga zv/ministri i Bujqësisë Dhimitër Kote, sipas të cilit fermerët nuk do të kenë më probleme me mosfunksionimin e pompave.

Ky investim i qeverisë u mirëprit nga fermerët të cilët prej vitesh kanë investuar në kulturën e agrumeve.

Për përgjegjësin e sektorit të ujitjeve dhe kullimit në ministri, Arben Mukaj tubacionet sekondare do t’u japin mundësinë fermerëve që të marrin ujë me presion në çdo kohë.

Ky projekt pritet të japë rezultate pozitive në furnizimin me ujë në parcelat e mbjella nga fermerët në zonën e Konispolit, ku do të shërbejë si fazë pilotimi për t’u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë.