Dy zjarrfikëse shqiptare u nisën drejt zjarreve në Aleksandropoli, Greqia refuzon ndihmën

Edhe pse situata me zjarret në Greqi është alarmante, vendi fqinj e ka refuzuar ndihmën e Shqipërisë, e cila ofroi dy zjarrfikëse.

Sipas burimeve për Top Channel, dy automjete zjarrfikëse dhe 9 punonjës të shërbimit të zjarrfikëses janë nisur prej mëngjesit nga Maliqi dhe Korça me destinacion Aleksandropolinë.

Ata kanë qëndruar për disa orë në hyrje të qytetit të Bilishtit, kanë marrë rrugën e kthimit në drejtim të Korçës, kanë ndaluar në vendin e quajtur “Kthesat e Cangoit”, dhe janë kthyer përsëri në drejtim të Bilishtit.

Ende është e paqartë situata se pse ndihmat shqiptare nuk u pranuan nga autoritetet greke, ku zjarret kanë krijuar një situatë emergjente.

Ministria e Mbrojtjes është duke pritur një konfirmim, për pranimin e forcave zjarrfikëse, të ofruar nga Shqipëria, pas kërkesës së Greqisë në sistemin europian të mbrojtjes civile.

Sipas deklaratave, për momentin ka pasur një plotësim nevojash nga vendet e tjera, ku sipërfaqe të mëdha me pyje por edhe banesa, përfshirë një zonë të mbrojtur në të cilën ndodhej një manastir, janë përfshirë nga zjarret masive ditën e djeshme, ndërsa vijon puna për shuarjen e tyre.