Dy turistët italianë i kemi vrarë të gjithë nga pak

Nga Mero Baze

Aksidenti fatal i dy të rinjve italianë në Ksamil është lajmi më i keq i sezonit. Dhe bëhet akoma më i keq, kur vrasësit nuk janë thjesht dy adoleshentë, por kultura jonë e paligjshmërisë, kur dy adoleshentë marrin makinën dhe lëshohen pa asnjë lloj frike rrugëve të zonës më të ngarkuar me trafik në Republikë, në këtë muaj.

Vrasja e dy turistëve italianë është dhe një krim tipik i kulturës sonë antiligjore, ku prindërit e kanë për nder që fëmijët marrin veturën në rrugë ende pa marrë patentën dhe akoma më keq, marrin me vete në veturë dhe shok të tyre.

Ndëshkimet në këtë rast duhet të jenë jo vetëm për fëmijët, por dhe për të zotin e veturës që ua ka dhënë fëmijëve, dhe prindërit e tyre.

Dy turistët italianë janë vrarë, nuk janë aksidentuar. Ata kanë qenë në rrugën e tyre dhe dikush ua ka prerë jetën në mes, thjesht nga papërgjegjësia e familjeve shqiptare, shoqërisë shqiptare dhe rendit publik. I kemi vrarë të gjithë nga pak. Dhe është pikërisht ndëshkimi që i japim turizmit tone, pikërisht nga veset tona.

Shkarkimi i shefit të qarkullimit të Sarandës është një masë e padobishme. Nuk e di kush është, por problemi që ka qarkullimi në Sarandë dhe Ksamil në verë nuk ka lidhje me 5 policë që ka Saranda.

Saranda dhe Ksamili kanë nevojë për një status të ri të policisë bashkiake gjatë sezonit veror dhe natyrisht për forca speciale shtesë, për të disiplinuar qarkullimin.

Disa herë Bashkia e Sarandës e ka kërkuar këtë nga Ministria e Rendit në vite, por nuk i është miratuar.

Këtë status aktualisht e ka vetëm Tirana. Vetëm në kryeqytet policia bashkiake mund të disiplinojë trafikun, të vendosë gjoba dhe të marrë nën kontroll trafikun kur ka krizë.

Së pari, kjo duhet të kthehet në ligj. Gjithë zona bregdetare e Shqipërisë në verë duhet që të konvertojë policitë bashkiake me kompetenca të policisë së qarkullimit rrugor dhe të marrin nën kontroll trafikun.

Rrugët e Sarandës dhe Ksamilit, përveçse të ngushta dhe të papërgatitura për këtë fluks, vuajnë dhe kulturën e banorëve vendas, të cilët ende nuk e kuptojnë se çdo të thotë të parkosh 5 minuta mes të rrugës, sa të blesh bukë apo të pyesësh komshiun si ka fjetur mbrëmë.

Kultura sedentare e 9 muajve të dimrit në një qytezë bosh pa trafik, në verë kthehet në kancer për trafikun.

Shtoji kësaj dhe arrogancën e një pjese të turistëve që vijnë nga emigracioni për të demonstruar makinën apo statusin e ri të njeriut me lekë, dhe situata aty bëhet e papërballueshme.

Aq pak policë sa ka Saranda, Lezha apo Kavaja për sezonin e plazhit, janë të papërfillshëm, nëse nuk angazhohen forca të reja.

Së fundmi, kjo ngjarje ashtu si aksidenti i vitit të shkuar në Llaman, duhet të kthehet në një precedent të ndëshkueshmërisë së lartë, duke ngritur në një standard tjetër ndëshkueshmërinë për përgjegjësinë familjare, shoqërore dhe ligjore për adoleshentët që përkëdhelen duke i kthyer në kamikazë rrugëve të Shqipërisë.

Nuk i kanë vrarë vetëm ata adoleshent turistët. Të gjithë i kemi ndihmuar vrasësit me kulturën tonë antiligjore në trafik, me tolerimin e paligjshmërisë dhe mbi të gjitha me mungesën e frikës nga ligji në raste të tilla.