Delvina, e harruara pranë detit…

Nga Panajot Zoto

Edhe pse rruga e re që kalon përmes tunelit të Skërficës, për të mbërritur në Sarandë, njihet si rruga “Kardhiq – Delvinë”, pushuesit dhe turistët në mijëra që kalojnë atje përditë, nuk e dinë se në të majtë të vështrimit të tyre, rrëzë malit të Sopotit, ndodhet Delvina,( 13 kilometra larg Sarandës), një destinacion turistik ende në përgjumje, për shkak të harresës dhe braktisjes nga të gjitha qeverisjet e pas viteve ‘90-të.

Gazetarja Rudina Xhunga në “Dritare” të para disa ditëve e nxori ,si të thuash, nga pluhuri i harresës dhe, sipas mënyrës së saj , foli për të dëgjuar dikush e për t’i kthyer sytë nga Delvina e harruar.

Në këtë qytet fshihet një thesar turistik,por duhet dikush të trazojë ujërat, duhet dikush të flasë dhe të zgjojë nga gjumi pushtetarët, ministrinë e Turizmit dhe atë të Kulturës, pse jo gjithë qeverinë e cila të mbështesë pushtetin vendor për të jetësuar projektet dhe idetë për t’i dhënë qytetit dhe gjithë zonës një mundësi zhvillimi turistik.

Tani Delvina ka një qendër të re, një lulishte dhe shesh më funksional, që ia ka zbukuruar pamjen qytetit. Por kjo nuk mjafton. Është folur për një projekt për jetësimin e kalasë dhe burimeve të Xhermahallës, të cilat mund të jenë një destinacion dhe të bëhen të vizitueshme nga turistët.

Do t’i shtoja kësaj idenë, që ma pati thënë vite, shumë vite më parë miku im Agim Bido , për të ndërtuar një teleferik që të zbriste nga kalaja në lagjen Papuçi, i cili do të tërhiqte vëmendjen dhe kureshtjen jo vetëm të banorëve,por do të shërbente si një mundësi argëtimi dhe pushimi për turistët në burimet e freskëta të Xhermëhallës.

Ekziston ende mundësia, veç duhen investime, për të rijetësuar hanet e vjetra të Delvinës si një tregues i mënyrës së jetesës dhe i zhvillimit ekonomik të qytetit ne shekujt 18- 19 e deri në fund të shekullit të 20-t.

Muzeu i ngritur me shumë mund,por pse mos të themi me diletantizëm ,mbetet një projekt tjetër dhe që duhet rikonceptuar dhe pasuruar me të gjithë bagazhin historik, do të thoshja të pamat, që ka Delvina, si një qendër tregtare e administrative,( Sanxhak), me figura të rëndësishme nën perandorinë Osmane, me histori që ia shtojnë vlerat kësaj treve të jugut. Me figura të shquara patriotike si Namik Delvina , Sulejman Delvina, etj.

Me heronj dhe dëshmorë të luftës, me tradita arsimore e kulturore,të cilat mbeten një ushqim shpirtëror dhe ngrenë lartë vlerat e qytetit, nga ku kanë ç’mësojnë brezat dhe kanë interes të dinë e të mësojnë vizitorët e turistët e huaj. Xhamia e Gjinaleksit një tjetër destinacion me interes turistik. Historia ndodhet atje por për të shkuar kërkohet të shmangen pengesat që lidhen me infrastrukturën rrugore.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Manastorin e Kostarit, i cili bëhet i vizitueshëm me pak investime për infrastrukturën rrugore që mund të lidhë monumentin e kulturës të Xhemahallës me këtë objekt kulti. Turistët , ata që kërkojnë qetësi pas një dite të ngarkuar e të lodhshme, mund të kalojnë një natë të qetë në Delvinë,larg zhurmave të natës që i lënë pa gjumë në Sarandë dhe në Ksamil.

Po a e ofron Delvina këtë mundësi? Fatkeqësisht jo. Jo

sepse askush nga pushtetarët e derisotëm vendor, nuk e ka patur si objekt pune dhe angazhim zhvillimin e turizmit në këtë qytet. Asnjë qeveri nuk ka hapur një perspektivë turistike për këta banorë të mënjanuar dhe të mohuar nga mundësitë që jep turizmi i sotëm si zhvillim ekonomik për gjithë vendin. Për të mos thënë se zhvillimi i turizmit është parë sa utopik dhe i pamundur.

Ndaj kërkohet sot që çdo Delvinjot ,kudo që ndodhet dhe e do qytetin e zemrës, të flas, të shtrojë ide, t’i bëj thirrje pushtetarëve vendorë, t’i kërkojë qeverisjes qendrore për ta parë Delvinëln me një sy tjetër.

Të mbështeten familjet që kanë mundësi e kapacitete strehuese për të pritur turistë.

Të inkurajohen biznese dhe të gjithë ata me mundësi financiare për të ngritur rrjetin hotelerik. Të inkurajohen individë të apasionuar për të hapur zyra turistike dhe t’i bëhet publicitet vlerave turistike të qytetit edhe përmes botimeve, guidave turistike, etj. Delvina, ky xhep i braktisur , meritor më shumë. Meriton një rrugë lidhëse Shijan- Delvinë më cilësore dhe një dalje përmes rrugës së vjetër, me destinacion Gjirokastrën dhe Kakavijën.