Bylisi luan “poker” me Butrintin, argëtohet dhe i jep dy lojtarë në huazim

Bylisi argëtohet me Butrintin në “Adush Muça”. Nga dy gola për çdo pjesë i kanë mjaftuar për të realizuar “pokerin” në miqësoren e luajtur dje. Dominim total i ballshiotëve, ndonëse Arjan Bellai kishte lënë pushim disa nga titullarët.

Sarandjotët e ndërtuar me pretendime të mëdha nuk e gjetën dot rrjetën, e megjithatë dhanë sinjale të mira. Lojë e bukur, qarkullim topi me pasime të shpeshta dhe binin në sy kualitete si Teqja, Rapa, Jaupaj, Kolonja, Çulli apo Alinani. Edhe pse mallakastriotët i mundën, u bën edhe dy “dhurata” miqve. Në huazim janë dhënë Ronald Shkreli dhe Selindjon Zholi.

NDESHJA – Bellai zgjodhi një ekip miks, ndërsa Novi aktivizoi më të mirët. Ballshiotët japin direkt shkëndija dhe në të 8-ën shënojnë me Rivas. Sarandjotët reagojnë me Rapën, Alinani dhe Alianin, por pa rezultat. Bylisi ka “frenat” sidoqoftë dhe në 31-ën gjen të dytën rrjetë. Lajthia driblon dy lojtarë të skuadrës mike dhe nuk fal, duke çuar ekipin të qetë në pushim. Në këtë pjesë të dy trajnerët kanë ndryshuar thuajse ekipet e tyre, sidomos sarandjotët që e kanë ekipin në kolaudim e sipër.

Ballshiotët sërish nuk janë kursyer, më konkretisht Aval Mikailu. Në të 47-ën ai shënon për 3-0, pas një kombinim perfekt mes Lajthisë dhe Qoshkut. Edhe pse në disavantazh, miqtë kërkojnë të paktën të bëjnë lojë. Fati është me më të mirin sidoqoftë, dhe Bylisi gjen golin e katërt sërish me Mikailu. Nigeriani përfiton nga një gabim në mbrojtjen mike, futet në qendër dhe godet në shtesë.

BYLIS-BUTRINTI 4-0
GOLAT: Rivas 8′, Lajthia 31′, Mikailu 47′, 63′

BYLIS: Beqaj, Skënderaj, Ronalo, Qarri, Benjamin Ngene, Qoshku, Lajthia, Hodo, Rivas, Lajthia, Aminu;
(U aktivizuan: Puja, Alimerkaj, Soza, Mikailu).
Trajner: Arjan Bellai

BUTRINTI: Hoxha, Buxhelaj, Teqa, Çulli, Malaj, Rapa, Ademi, Theodhori, Alinani, Kolonja, Jaupaj;
(U aktivizuan: Anderson, Papagjika, Nikolla, Zholi, Aliaj, Basha, Husi, Shehu, Selimaj, Lala).
Trajner: Neritan Novi

GJYQTARË: K.Cjapi, O.Grabova (Fier), N.Rrapaj (Patos)
KARTONË TË VERDHË: S’ka