Nga Korfuzi në Sarandë/ Zjarret dhe tymi detyrojnë turistët që të largohen

Efekti i zjarreve masive në Korfuz u ndje me praninë e tymit dhe smogut edhe në Sarandë.

Prej ditësh zjarrfikësit në Greqi po përpiqen të mbajnë nën kontroll flakët që përfshinë pjesën më të lartë të ishullit grek. Për pasojë një pjesë e turistëve që po kalonin pushimet atje kanë mbërritur në Sarandë për të kaluar pjesën e mbetur të pushimeve.

Ritmi ditor i hyrjeve në portin e Sarandës është gati 3000 persona në ditë dhe po punohet me kapacitet maksimal. Autoritetet portuale bëjnë me dije se efekti Korfuz ka shkaktuar një lloj kaosi të përkohshëm në lëvizje edhe drejt Sarandës e lidhur kjo edhe me anulimin e shumë fluturimeve drejt aeroportit të Korfuzit.

Vizitorët megjithatë më shumë përjetuan një efekt psikologjik të lidhur me zjarrin atje ndërsa konfirmojnë se situata tani duket e stabilizuar.

“Nuk patëm vonesa me fluturimin por pamë shumë tym e flakë mbi Korfuz që ka një efekt patjetër. Ne e kishim Korfuzin vetëm tranzit sepse destinacioni ishte Shqipëria. Situata nuk ishte e mirë as në Itali prej nga ne vijmë por tani jemi me pushime dhe të qetë”, tha një turist.

“Është hera e tretë që vij në Shqipëri për detin diellin ushqimin dhe më pëlqen ky vend. Në Korfuz ndihej efekti i zjarrit dhe prania e tymit por besoj se situata po përmirësohet”, tha një tjetër turist.

Efekti Korfuz në rritjen e numrave të vizitorëve për Shqipërinë ka filluar të ndihet që prej Majit. Në analizën e ekspertëve rritja me 30-35% e çmimeve atje ka avantazhuar një destinacion ende më të lirë si Shqipëria.

“E kemi një fluks goxha të konsiderueshëm për shkak se turistet kanë gjet një realitet tjetër nga ishulli Korfuzit, ku janë befasuar me çmimet, kanë ndenjur nga 2-3 ditë dhe kanë ardhur në Sarandë”, tha Plarent Shehu, specialist i marrëdhënieve me publikun në portin e Sarandës

Porti i Sarandës ka pasur një rritje të numrit të mbërritjeve me rreth 10% krahasuar me vitin e kaluar ndërsa në raport me 2019 rritja është me gati 30%. Deri në fund të korrikut pritet që porti i Sarandës të preket nga rreth 500 jahte private përveç anijeve cruiz dhe prurjes së trageteve të linjave ditore.