Mbyllet Festivali Folklorik i Gjirokastrës, Margariti: Mirënjohje për heronjtë e heshtur të kësaj ngjarje madhështore
Në mbyllje të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 2023, ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu mirënjohjen për të gjithë kontributorët e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Margariti vlerësoi punën e gjithë skuadrës, që brenda një kohe të shkurtër e ktheu Gjirokastrën në një skenë magjike, ku gjalloi gjithë pasuria shpirtërore shqiptare.
“Pas atyre 8 ditë-netëve festive, pas qindra mesazhesh urimi, është patjetër mirënjohja. Mirënjohja për “heronjtë e heshtur” të kësaj ngjarjeje madhështore; të asaj skuadre që brenda një kohe të shkurtër e ktheu Gjirokastrën në një skenë magjike ku gjalloi gjithë pasuria jonë shpirtërore. Që nga Komiteti Artistik me në krye profesor Thoma Gaqin, që udhëtuan në gjithë Shqipërinë për të përzgjedhur materialet që u interpretuan në skenë; Bledi Laçon me gjithë ekipin e tij që organizuan një festë të madhe, Eri Kuken, Ina Lisin, Ines Esnalin, që ndërtuan një vepër arti në kurorën e festivalit, një skenografi simbolike që do të mbahet mend gjatë; Edit Pulajn që mbajti gjallë qytetin me aktivitete në rrugicat e gurta; Dorian Çenen e çdo ekspert që ndihmoi që trashëgimia jonë të buronte sa më e pastër; Manjola Hasën për promovimin dhe punën e palodhur me mediet shqiptare e të huaja, Merin, Gencin, Arlindën dhe pa përjashtim gjithë stafin e Ministrisë së Kulturës, që u kujdesën që gjithçka të shkonte si duhej”, shkruan Margariti.
Ministrja shprehu mirënjohjen po ashtu për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe për çdo artizan që iu bashkua shfaqjeve në kala dhe në aktivitetet përgjatë ditëve.
“Mirënjohje Këshillave dhe prefektëve të Qarqeve, që na mbështetën me entuziazëm. Mirënjohje çdo kryetari bashkie që na mbështeti në këtë organizim madhështor, që u rikthye pas 8 vitesh mungese, në veçanti Flamurin që na “dorëzoi” bujarisht “çelësat e qytetit”, të cilat ia kthyem sërish për të vijuar punët e mira në këtë qytet-UNESCO. Por edhe Ardisit, drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, për përkushtimin dhe gatishmërinë në zgjidhjen e çdo ngërçi”, vijoi Margariti.
Po ashtu ajo theksoi se pa gjirokastritët, kjo festë nuk do të qe e mundur.
“Mirënjohje për dashamirësinë dhe mikpritjen e pafund, për përqafimet, shtrëngimet e duarve dhe mesazhet falënderuese. Tashmë Gjirokastra iu kthye ritmit të vet. Kalaja dhe sahati veshën petkun hijerëndë, por me siguri ky festival është gdhendur në gurët e tyre”, shtoi ajo.
Margariti shprehu mirënjohjen edhe për çdo bartës të vlerave kulturore dhe shpirtërore në trojet shqiptare e në diasporën e largët, që i japin kuptim këtij festivali.
“Faleminderit atyre qindra të rinjve e fëmijëve që sollën në skenë jo vetëm traditë, por edhe shpresën dhe besimin që rrënjët e të parëve janë trashëguar te brezat e rinj! Faleminderit Radio Televizionit Shqiptar e çdo medieje televizive, çdo gazetari dhe operatori që gëzoi e përcolli bashkë me ne këtë kartolinë të vlerave e të historive të vërteta shqiptare në Shqipëri e në botë, duke treguar se ne jemi një popull që dimë të ruajmë të bukurën dhe dimë të festojmë jetën! Faleminderit ABI BANK, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Banka Botërore, që mbështesni artin! Mirënjohje për këdo që udhëtoi drejt Gjirokastrës me zemrën e hapur për të përqafuar bukurinë e traditës sonë! Faleminderit me zemër dhe le t’ia nisim punës për edicionin e radhës, me moton tonë të bukur: “E ardhmja është në origjinë””, shkruan ministrja Margariti.