Siguria në plazhe, Policia: Bllokohen tre mjete lundruese në Sarandë dhe Dhërmi, gjoba pronarëve

Intensifikohen kontrollet e Policisë kufitare përgjatë vijës bregdetare për të rritur sigurinë e pushuesve në plazhe.

Policia e Vlorës, përmes një njoftimi për mediat bëri të ditur se, “në kuadër të kontrolleve përgjatë vijës bregdetare Vlorë, Dhërmi, Sarandë, ka bllokuar 3 mjete lundruese . Secili nga drejtuesit e tyre u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj, për mospajisjen me dokumentacionin e nevojshëm për lundrim”, njofton Policia.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të Vlorës dhe ato të Policisë Kufitare Dhërmi, në zbatim të porosive të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë takimit me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të kufirit, për forcimin e kontrolleve në det dhe në tokë, ndaj mjeteve lundruese për peshkim dhe atyre turistike, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së posedimit dhe të drejtimit të tyre, si dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe vizitorëve, në plazhe, kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë vijen bregdetare të qarkut.

Si rezultat, Policia Kufitare e Vlorës dhe Policia Kufitare në SPK Dhërmi kanë bllokuar 3 mjete të tjera lundruese, prej tyre 2 mjete lundruese argëtimi “Jet Ski” dhe 1 mjet lundrues gomone, si dhe kanë ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë të rinj secili, drejtuesit e tyre, pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar se nuk kishin në bord, dokumentacionin e nevojshëm për lundrim. 3 mjetet lundruese u bllokuan deri në shlyerjen e masave administrative dhe pajisjen e drejtuesve, me dokumentacionin përkatës”, bëhet me dije nga Policia e Vlorës.

Një fund, Policia e Vlorës në fund garanton se policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjithë vijën bregdetare të qarkut, teksa apelon qytetarët të denoncojnë çdo parregullsi që hasin.