Rama: Shqipëria turistike me kufij të hapur e të sigurt

Policisë Kufitare dhe Migracionit i janë shtuar pajisje të reja me vlerë 2,4 milionë euro për menaxhimin e kufijve të gjelbër e detarë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ceremonia e organizuar me këtë rast në Dhërmi, ku ishte i pranishëm ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ambasadorja e Delegacionit të BE, Christiane Hohmann.

“Modernizimi i Policisë së Shtetit përmes investimeve në teknologji ka hyrë tashmë në një fazë të pakthyeshme për të bërë një kapërcim epokal në kontrollin e territorit dhe rritjen e parametrave të sigurisë për vendasit dhe miliona turistë që mbërrijnë në Shqipëri”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Rama u shpreh se tashmë Shqipëria turistike ka kufij të hapur e të sigurt.

Ministri Çuçi në fjalën e tij në ceremoni theksoi se, “besoj se tashmë të gjithë jemi dëshmitarë të një realiteti krejt tjetër të Shqipërisë, një Shqipëri tërësisht e hapur për lëvizjen e lirë të mallrave, të njerëzve, dhe sidomos në periudhën e turizmit për të pranuar çdo njeri, që kërkon të kalojë pushimet në Shqipëri”,

Ai solli në vëmendje bashkëpunimin me FRONTEX si një histori suksesi për të menaxhuar dhe kontrolluar kufijtë e Shqipërisë në mënyrë të sigurtë.

“Vetëm këtë vit kemi rritur me 7.6 herë investimet në teknologji për Policinë e Shtetit krahasuar me vitin e shkuar”, tha Çuçi.

Ndërsa ambasadorja e Delegacionit të BE, Christiane Hohmann, tha se ky projekt dhe gjithë bashkëpunimi me BE-në në tërësi ndihmon në përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësim në union.

Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, vlerësoi ndihmën e partnerëve për Policinë e Shtetit.

Nga ky projekt Policia Kufitare dhe Migracionit ka përfituar anije patrullimi, automjete vëzhgimi me sistem kamera vëzhgimi ditën e natën, mikrobusë me radarë, servis të lëvizshëm mirëmbajtjeje, si dhe dy radarë për bregdetin, një në Tale të Lezhës dhe tjetri në Dhërmi.