Nisën që në vitin 2008, sipërmarrësi shqiptar zbulon sa norvegjezë kanë blerë shtëpi në Sarandë

Bujar Zhuri është një prej shqiptarëve të suksesshëm jashtë vendit. Përpara se të mbaronte fakultetin e tretë për Juridik, ai emigroi në Norvegji ku themeloi shkollën e parë shqipe në Oslo dhe Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë ku ka mbajtur detyrën e sekretarit.

Por biznesi e tërhoqi dhe zhvillimet në Shqipëri e nxitën që të gjente mënyra për të shfrytëzuar potencialin e saj duke e bërë tërheqëse për turistët. Ai rrëfen në “Rudina” në Tv Klan se pasi publikoi disa njoftime nëpër media për të parë nëse norvegjezët do të kishin dëshirë të blinin prona në Shqipëri, mori përgjigje pozitive që e nxitën të ngrinte një kompani.

Bujar Zhuri: Nisa të krijoj një kompani dhe e regjistrova në Londër bashkë me disa partnerë norvegjezë dhe filluam në grupe, në Sarandë të cilët i shkonim nëse vërtet këta norvegjezë kanë interes për të blerë.  Ishte e çuditshme sepse që në rrugën e parë me 32 investitorë norvegjezë të cilët unë i solla, ka qenë viti 2008 dhe infrastruktura ka qenë shumë e dobët se tani infrastruktura është rregulluar, janë bërë disa investime, qendrat e qyteteve kanë marrë një formë tjetër, plazhet kanë filluar të rregullohen. Shkuam  në Sarandë, ishte një përjetim, adrenalinë. Ajo që iu bëri përshtypje norvegjezëve si fillim ishte mikpritja.  Njerëzit ishin shumë dashamirës, shumë mikpritës, në atë kohë turizmi në Sarandë ishte shumë i dobët por sigurisht që Saranda kishte problemet e saj që edhe sot e kësaj dite ne i dimë që i ka.

Rudina Magjistari: Patën interes norvegjezët për Sarandën në atë kohë?

Bujar Zhuri: Po, patën interes dhe ne filluam të bënim shitjet e para.

Rudina Magjistari: Pra filluan të blinin?

Bujar Zhuri: Blinin shtëpi në Sarandë që në 2008.

Pas krizës që përfshiu botën në vitin 2008, norvegjezët iu rikthyen tregut imobiliar shqiptar dhe sot ka një komunitet të tyre në Sarandë.

“Sot vazhdon interesi i norvegjezëve, janë gati 600 norvegjezë që kanë blerë shtëpi në Sarandë, edhe suedezë. Në atë kohë ne kemi shitur edhe te danezë. Në atë kohë mbaj mend që kisha në listë pritjeje 200 të interesuar për të blerë një apartament në Sarandë pas shitjeve të para”, përfundon Zhuri.