Rama në Sarandë: Njerëzit na votuan sepse presin më shumë nga ne
Kryeministri Edi Rama, në kuadër të turit falenderues për besimin që i dhanë qytetarët me 14 Maj, është ndalur në Sarandë. Nga qyteti bregdetar, kreu i qeverisë tha se qytetarët votuan PS-në pasi presin më shumë nga ta. Ai tha se vota është një përgjegjësi për të përmirësuar marrëdhëniet me qytetarët.
“Njerëzit janë të bindur se mund t’i përmbushin pritshmëritë e tyre. Por më e rëndësishme për ne që udhëheqim që nga unë, deputetët, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët është që të kuptojmë se vota e 14 majit nuk është shprehje e një kënaqësie të madhe në raport me ne dhe qeverisjen tonë në rang kombëtar apo vendor. Njerëzit nuk kanë votuar sepse janë të kënaqur nga puna jonë por pavarësisht se janë të pakënaqur sepse presin më shumë nga ne dhe është një vlerësim i jashtëzakonshm që në mes të mandatit të tretë, njerëzit të kenë pritshmëri të larta si ato që u shprehën me votën e 14 majit. Por nga ana tjetër për ta kuptuar atë votë mirë dhe për të mos fluturuar mbi re por për të punuar më tepër, kokëulur dhe duke ua ditur për nder njerëzve që pavarësisht se nuk i kemi bërë mirë gjitha gjërat dhe kemi bërë gjëra që s’jemi krenar, njerëzit na kanë besuar dhe na kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme. Kjo duhet të jetë gjëja që nuk duhet të harrojmë asnjë ditë kur të shkojmë në punë sepse kështu mund tjua kthejmë njerëzve një pjesë të këtyre pritshmërive.“, tha Rama.
Më tej, kryesocialisti ngriti edhe njëherë si problematikë Kadastrën duke shtuar se njerëzit që kanë punuar aty e kanë bërë zhele flamurin e PS-së. Rama shtoi se cilësia që duhet të identifikojë kryebashkiakët është njerzillëku.
“Ka një gjë që unë besoj se mund t’ua besojmë 100% të gjithëve. Dhe kjo është njerzillëku. Halli që nuk ma zgjidh të paktën ma qaj. Bashkitë që janë dera e parë për çdo qytetar duhet të jenë më të hapura dhe duhet të kenë edhe më tepër gatishmëri t’i dëgjojnë me respekt. Kjo votë është sfidë për të rregulluar marrëdhëniet jo vetëm me Bashkinë por me të gjitha dyert e shtetit. Edhe pse i kemi transformuar shërbimet në Shqipëri prapë janë një pjesë që vazhdojnë të jenë me kontakt direkt dhe janë problem. Problemi më i madh është hipoteka, Kadastra. Që është bërë, pasqyra e turpit të PS-së. Pasqyra e turpit të PS-së. Njerëz që kanë vajtur të punojnë në Kadastër, me emrin socialist dhe e kanë bërë zhele flamurin e PS-së. Kanë nëpërkëmbur kontributin, mbështetjen dhe besimin e mijëra votuesve që votojnë PS-në. Dhe kjo është, e pa drejtë. Dhe po e them këtë sot për të ilustruar atë që kam parasysh me fjalën njerzillëk.“, tha Rama.