Klosi: PS përmirëson çdo ditë veten që t’i shërbejmë më mirë Shqipërisë

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Blendi Klosi u shpreh sot në turin e mirënjohjes për rezultatin zgjedhor në Sarandë se, “të 4 këta djem të ri vijnë me rezultate më të mira se vetë PS në 2021”.

Klosi shtoi se, “ky është tregues i qartë i nevojës të madhe që ka e gjithë struktura jonë i gjithë vendi jonë për të ecur vetëm përpara dhe çdo gjë përpara ta bëjmë vetëm për mirë. PS falë vizionit të kryeministrit Rama, falë punës së palodhur të tij, falë këshillave të tij të  përditshme, çdo ditë punon për të përmirësuar në radhë të parë veten dhe duke përmirësuar veten t’i shërbejmë më mirë Shqipërisë”.

Ai tha se, “ne i shërbejmë Shqipërisë si asnjë forcë tjetër politike dhe këtë do ta bëjmë kudo në Sarandë, Finiq, Konispol e siç do ta bëjmë në gjithë Shqipërinë. Ne fituam në gjithë Shqipërinë sepse ne punojmë. Këtu kudo të kthesh kokën shikon investime të reja, para private, njerëz që besojnë tek ky zhvillim”.

“Ne si PS do të vazhdojmë të reformojmë vetën tonë për të bërë më të mirën e për të filluar punën nga sot që në 2025 jo vetëm të marrim 8 mandate por pse jo të shkojmë tek mandati i 9-të. Ne do të vijojmë punën që në 2025 t’i japim PS mbështetjen maksimale”, përfundoi Klosi.