Lamtumirë Mira e Bashkisë, e Mira e qytetit
Nga Thoma Nika
Me shumë dhimbje dhe trishtim, përcollëm sot Mirën e Bashkisë dhe Mirën e Qytetit.
Jeta nuk e përkëdheli, por vetëm e ndëshkoi në mënyrën më të pamerituar.
Jetoi fatin e jetimes dhe ngrohtësinë e familjes së munguar biologjike, e mori në Shtëpinë e madhe, që Saranda e ka prej 75 vitesh e që është Shtëpia e Fëmijëve Shkollorë “V.Pulla”.
Te Mira kjo Shtëpi ka një pjesë të historisë së saj. Mes fëmijëve të kohës se Vangjel Pullës së famshëm, ishte edhe vajza e pakët, e drojtur, por e dashur Miranda Koçi.
Nga ajo shtëpi doli në jetën e madhe. Me duart e saj akoma të njoma e të holla, provoi të punojë qilima e sixhade në ndërmarrjen më të madhe të Sarandës. Ajo ishte gati e padukshme për trupin e imët, por shumë e dallueshme për botën dhe zemrën e madhe dhe e dalluar për bërjen e normës së çdo dite.
Pothuaj në tërë këto dekada të zhvillimeve demokratike, vendi i saj i punës ishte Bashkia, aq sa jo vetëm ne në Bashki, por edhe shumica e bashkëqytetarëve tanë, e njohën dhe i thirrën Mira e Bashkisë.
Ajo fluturonte në punë, ndërsa ishte njeri me këmbë në tokë dhe shumë e ndjeshme për fatet njerëzore, cilësi që e mori në Shtëpinë me dhjetëra motra e vëllezër. Vitet e fundit jeta e lodhi edhe më shumë, pasi iu desh të luftonte me sëmundjen. Edhe në këtë sprovë Mira mbeti po aq e mirë dhe pa e dhënë veten. Kur e pyesje për shëndetin, përgjigja e saj ishte “jam më mirë”, shoqëruar me buzagazin e mirësisë së saj.
Perçdo ndihmë që iu dha nga instutucioni për të cilin dha aq shumë, duke nisur nga Adrian Gurma si titullar e si mjek dhe nga njerëz të ndryshëm, ajo nuk harroi ndonjëherë të shprehte mirënjohje.
Prej gati tre vitesh u mësua të bashkëjetojë me sëmundjen që i ra për fat. Gjithnjë besoi se sfidën ishte duke e fituar, se ajo ishte natyrë optimiste.
Mirën e mbajmë mend t’u jepte nga optimizmi i saj grave e vajzave të Sarandës, sidomos në tubimet e Tetorit Rozë, kur fliste plot kurajo për luftën dhe “paqen” e vendosur me sëmundjen e keqe.
Por ky 11 prill do të ishte ditëlindja e fundit e Mirës së Bashkisë dhe Mirës së Qytetit. Megjithë kujdesin mjeksor dhe shërbimin njerëzor, që iu ofrua në banesë dhe në dhomën e posaçme të spitalit të Sarandës, rruga e saj e jetës u pre në këtë 4 maj.
Duke lënë për ne dhimbjen, trishtimim, por edhe nderimin e madh për një njeri të thjeshtë, që do t’i mungojë jo vetëm Shtëpisë së Madhe, ku u rrit e mori edukim, por gjithë Sarandës, që do ta ketë në kujtesë dhe në zemër.
Lamturmirë, e mira Mira!