Ksamili mahnit britanikët, vendi i tretë më i preferuar për pushime

Shqipëria po i drejtohet një tjetër sezoni rekord për turizmin, teksa plazhet shqiptare po shndërrohen me shpejtësi në destinacionet më të preferuara të europianëve për të kaluar pushimet verore të këtij viti.

Tripadvisor, agjencia më e madhe e udhëtimeve në botë publikoi këtë të mërkurë listën me 20 destinacionet më të preferuara të britanikëve për të kaluar pushimet e këtij viti. Në vendin e tretë është renditur Ksamili.

Sipas renditjes, lista kryesohet nga Badesi, një plazh në bregdetin verior të Sardenjës. Në vendin e dytë vjen qyteti Hakone-machinë Japoni dhe i treti renditet Ksamili, një hyrje e re në top listën e destinacioneve më të preferuara nga Britanikët.

“Ksamili, në rivierën shqiptare është një vend ideal pë rata që kërkojnë pushime me çmime të lira. Ky plazh njihet për rërën e tij të bardhë dhe ujin e pastër si kristali,” shkruan Tripadvisor.

Ndërkohë renditja është pasqyruar dhe nga gazeta Daily Mail, e cila e hap artikullin e saj me titullin pompoz: “këtë vit, do të shkojmë të gjithë për pushime në Shqipëri.”

Duke e ilustruar shkrimin me disa foto mahnitëse nga Ksamili gazeta shkruan se këto foto shpjegojnë qartë se pse britanikët po mrekullohen nga riviera shqiptare. I gjendur 17 kilometër në jug të Sarandës, Ksamili është një nga vendpushimet bregdetare më të frekuentuara, nga turistët vendas dhe të huaj.

Vitet e fundit, gjeografia e turistëve që zgjedhin të kalojnë pushimet verore në Ksamil është zgjeruar dhe këtë verë me sa duket, plazhi mahnitës pritet të përballet me fluks të jashtëzakonshëm turistësh britanikë.