Do na mungosh, doktoresha Eli

Lajmi i dhimbshëm për humbjen e parakohshme të bijës sarandiote, mjekes dentiste, mjekes që me dorën dhe dashurinë e saj mjekoi e zbukuroi buzëqeshjen shumë prej bashkëqytetarëve tanë, Eli Memushi (Çako) na shokoi të gjithëve.

Kur mëson se një sarandiote ikën duke na thënë lamtumirë të gjithë trishtohemi. Po kur mësuam se dentistja e dashur, Eli (Çako) Memushi na la, sarandiotët janë shokuar nga e pa pritura duke ndjerë një boshllëk që lë ikja e një zonje të mirë, një dentiste duarartë, siç ishte për tridhjetë e pesë vite, Eli ynë.

Jeta e saj ka lënë një ndikim të madh dhe do të kujtohet gjithmonë për punën e saj të mrekullueshme dhe dashurinë për pacientët.

Eli nuk kishte vetëm duar të arta. Ajo ishte tërë kohës buzëgaz, një zonjë plot qytetari dhe e përkushtuar në shërbim të qytetarëve. Me një kulturë fine, e ditur dhe e aftë profesionalisht Eli ishte modeli i qytetares që kurrë nuk rreshti së punuar.

Sa sarandiotë kanë ndjerë përkujdesjen dhe aftësinë e saj si dentiste. Estetike me paraqitje, surprizuese Eli, nëna e tre fëmijëve, bashkëshortja e inxhinierit, Gëzim Memushi, motra e mësuesve, Dasha Gaçi e Novruz Çako dhe infermieres së ndjerë Roza Bido, gdhendi portretin e saj plot dinjitet.

Kush e takoi nëpër rrugët e qytetit dhe nuk u miqësua, kjo sepse e mira Eli ishte tërë kohës me buzën në gaz. Një grua që nuk e përtoi këmbën duke ecur, nuk e lodhi dorën në një punë të imët e plot sqimë për t’u dhënë dhëmbëve të pacientëve hijeshi dhe estetikë.

Kabineti dentar ku shërbente Eli ndriste nga pastërtia. E veshur me përparsen blu me maskë dhe doreza të bardha ajo kujdesej që asnjë pacient të mos ndjente dhimbje, askush mos të merrte mikrobe apo infeksione.

E kujdesshme deri në pafundësi u jepte pacientëve, bashkëqytetrëve besim dhe u’a hiqte dhimbjen si me magji. Eli Çako ka pak kohë që i mungonte qytetit tonë, pacientëve dora e saj e lehtë, që nuk të krijonte asnjë dhimbje, pasi kujdesi i saj ishte maksimal. Dhe kur nuk e takonim Elin tonë, qytetaren model nëpër rrugët ku shëtiste në kohë të lirë pyesnim: Po ç’u bëre motra jonë, doktoreshë Eli? Vallë ku je që nuk të takojmë si dikur dhe nuk e shikojmë buzëqeshjen tënde plot nur e dritë? Dhe mësuam se ishe larg. Në Kanada tek vajza.

Sa larg shkove motra jonë, Eli. Po edhe pse kaq larg ne që të kemi njohur dhe dashur asnjëherë nuk menduam se nuk do të të takonim. Ishim mësuar me ty, Eli.

Të kemi pasur gjatë tërë jetës pjesë të shoqërisë tonë. Dhe besonim se një ditë do të zbrisje në Rinas për të mbërritur në Sarandën tënde të dashur. Asnjëherë nuk menduam se do të na mungoje dhe nuk do të kishim pranë.

Kurre nuk na kishte shkuar ndërmend se do i mungoje qytetit dhe shoqërisë. me të cilët u rrite dhe u bëre një qytetare e denjë e respektuar dhe e vlerësuar si rrallëkush.

Po jo, ti, Eli, nuk mbërrite dot në Sarandën tënde. Nuk hape derën e klinikës. Nuk takove kolegët e tu, ata me të cilët ndave shqetësimet dhe emocionet e profesionit. Ike Eli ynë. Pa na thënë lamtumirë. Nuk e meritoje këtë ndarje dhe këtë dhimbje që as ne nuk e deshëm. Nuk e deshën kurrë tre fëmijët e tu bashkëshorti yt, vëllai motra dhe familja.

U trishtuan qytetarët sarandiotë, motra jonë, Eli. Dhe deti i ndali dallgët dhe puhia e pishave u ndal. Dhe Lëkurësi se si na duket si pa ngjyrë. Është trishtimi që le pas si një tis vese mëngjezeve. E të gjithë që të kanë njohur besojnë se u ngjite lart dhe do të mbetesh një yll që rrezaton mirësi dhe dashuri për të gjithë. Ike, mikja jonë e mirë. Qytetarja jonë model. Duararta jonë brilante. Po kjo ikje është vetëm fizikisht se për të gjithë ne mbetesh e paharruar. Dhe kështu do mbetesh sa jeta në këtë bregdet do jetojë, ike motra Eli, ike. Sa shumë do na mungojë buzëqeshja tënde. Të gjithë e dimë se vendi yt është në zemrat tona dhe në parajsë. Ike Eli ynë, oh sa trishtim!

Ti ishe një profesioniste e shkëlqyeshme dhe e respektuar. Ndaj jemi të dëshpëruar që nuk do jesh më në mesin tonë.