FSHF dënon dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit Elis Pulaj në Delvinë

Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit Elis Pulaj gjatë ndeshjes Delvina-Albpetroli, e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë së Dytë, Grupi B.

Njëkohësisht, Federata e Futbollit kërkon nga organet ligjzbatuese që të marrin masa të forta për të ndalur aktet e dhunshme, që prishin imazhin e futbollit. Gjithashtu, u bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që veprojnë sa më parë për të ndaluar shkaktarët e dhunës dhe t’i vënë ata para drejtësisë.

Sakaq, Federata Shqiptare e Futbollit do të caktojë një inspektor disipline për të kryer një hetim disiplinor në lidhje me incidentin dhe dhunën ndaj gjyqtarit.

Është e papranueshme që futbolli të penalizohet për shkak të disa individëve të dhunshëm e të papërgjegjshëm.

Federata e konsideron të rëndë ngjarjen e ndodhur në Delvinë e që nuk ka asnjë lidhje me lojën e futbollit dhe frymën e “Fair Play”. Së fundmi kërkojmë nga sportdashësit, që të distancohen nga veprime të tilla të dhunshme, që nuk kanë asnjë lidhje me lojën e bukur të futbollit, por vetëm e dëmtojnë atë.