15 vite sherr e dhunë për një barake dhe një rrip toke mes tre familjeve në Delvinë! Por Shteti hesht dhe palët në konflikt kërcënojnë me vetëgjyqësi
Prej gati 15 vitesh, tre familje janë në konflikt për një barrakë dhe një copë tokë, ndërsa Shteti, që ndoshta është shkaku i këtij konflikti, nuk bën asgjë për ta zgjidhur.
Skenë e këtij teatri absurd është fshati i vogël i Senicës, mes gjelbërimit rreth Delvinës. Këtu jetojnë Amalia dhe Foto Çollaku, 77 vjeç që ruajnë barrakën e vogël në të cilën banojnë në kushte të një mjerimi absolut të rrethuar nga pak pemë ulliri, të mbrojtur nga një qen dhe një gardh me gjemba.
Ata kanë frikë se toka do iu merret nga familjet e fqinjëve, Fajk Prodas, 64 vjeç, pronar i një punishteje të prodhimit të bulmetit dhe nga familja Basho.
Amalia dhe Foto Çollaku na tregojnë se dy ditë më parë disa fqinjë i sulmuan dhe kjo është e disata herë që ndodh. Në fytyrë dhe në foto duken shenjat e dhunës edhe pse nuk kemi prova se kush janë fajtorët.
“Më erdhën pardje të premten në ora 12 e gjysmë, më kanë qëlluar me grusht brenda në shtëpi time. Kërkojnë të më marrin pronën me pahir.
Kemi që vjet që jemi dhunuar. Po të hapen kamerat do faktohen të tëra rrahjet tona. 17 veta erdhën që mblodhën ullinjtë. Ditën e parë erdhën vodhën 7 thasë me ullinj. Dita e fundit ishte pardje që erdhën rrahën burrin. Bënin shenja dhe thonin fjalë të turpshme dhe njëri vëlla e goditi se i tha Foto. Duket se ne na kanë lënë vetëm shtëpinë. Na kanë prishur stallën, prishën bletët”, thanë të moshuarit Çollaku.
Edhe fqinj, Faik Prodas, thotë se dy të moshuarit Çollaku kanë bërë për hakmarrje akte dhune ndaj pronës së tij, si fillim duke helmuar 6 derrkucë dhe më pas duke hedhur helm në tokat e tij. Nuk na tregon asnjë provë sepse thotë se videot që i ka filmuar duke vepruar, ja ka dorëzuar prokurorisë.
“Ky zotëria ka ardhur 3 herë që në datën 25 prill, janë të filmuara me kamera. Ja çfarë ka bërë. Ai nesër do vijë të më djegë makinën, mund të më prishë objektin. Mund të bëjë shumë gjëra, unë jam kaq i indinjuar, më ka prishur imazhin, më ka prishur punë, më ka prishur terezinë. Edhe me gruan sherr e shamata për këtë punë. I kam me pamje filmike, i kam dorëzuar në prokurori”, tha Faik Prodas.
Të dy familjet na thonë se i janë drejtuar policisë së Delvinës, por që të dy akuzojnë policinë se nuk ka bërë asgjë.
“Kam bërë 13 kallëzime. Asnjë nuk është arrestuar. Edhe pardje që u rraha, erdhi ambulanca më mori, jam me 3 infarkte”, tha Foto Çollaku.
“Ne kemi shkuar në polici e s’na ka dhënë zgjidhje. Biem dokumenta”, tha Faik Prodas.
Familja Çollaku pretendon se e ka të trashëguar tokën dhe se në 2010 edhe një gjykatë i ka dhënë të drejtë. E megjithatë, edhe sot pas 13 vitesh nuk disponojnë asnjë certifikatë pronësie pasi hipoteka, për arsye që askush nuk i shpjegon, nuk ja ka dorëzuar.
“Në konflikt jemi për pronën tonë. Është një pronë gjyshi që e ka trashëguar Foto nga gjyshi e babai. Pas 20 vitesh kërkojnë ta marrin të fortët. I kemi të gjithë dokumentet dhe akti i pronësisë ka mbetur në hipotekë”, tha Amalia Çollaku.
Edhe familja Prodas thotë se është pronare legjitime e kësaj toke trashëgimi nga babai, përfitues i ligjit 7501 përmes të cilit iu shpërndanë fshatarëve tokat e kooperativës. Por as ata nuk kanë një çertifikatë pronësie, pasi as me ata institucionet nuk kanë bërë detyrën deri në fund.
“Në ’91 kam privatizuar një objekt për biznes dhe kam një baxho qumështi. Këtë e kemi marrë nga koperativa. Pasi u shpërndanë toka, kam marrë me 7501, 700 metra para objektit. Është e regjistruar në hipotekë. Azhornimi i tokës nuk është bërë. Kam marrë topograf privat dhe s’ka pranuar”, tha Prodas.
Tre familjet në luftë jetojnë afër dhe, edhe pse barrakja dhe toka e sherrit na duket neve që jetojmë në qytet gjë e vogël, për këto familje janë copa të jetës së tyre. Është një luftë mes të varfërve, ku Shteti nuk bën asgjë për ta zgjidhur, ndërsa është urgjente ta bëjë sa më parë që është e mundur në mënyrë që ky konflikt për këtë copëz tokë, të mos transformohet në një tragjedi. Tani që historinë e treguam, askush nesër të mos thotë: Nuk e dinim!
“Kam shkuar në çdo zyrë e s’kam gjetur zgjidhje. Nëse i jep shteti të dy palëve dokumente, do rrimë po do vritemi me njëri-tjetrin”, tha Faik Prodas.
“Nëse nuk vë dorë shteti, do të bëjmë vetëgjyqësi, por kërkojmë të drejtë. S’duam asgjë tepër”, tha Amalia Çollaku. /Shqiptarja.com