Kumbaro: Stacione “parkimi” për turizmin detar

Për sezonin e ardhshëm turistik, në çdo bashki bregdetare do të ketë stacione të përcaktuara ankorimi për mjetet lundruese me qëllim ekonomik dhe turistik.

Gjatë një interviste, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro njoftoi se grupet e punës tashmë janë në terren dhe aplikimet do të kryhen brenda vjeshtës.

“Me miratimin e VKM-së për përcaktimin e stacioneve të ankorimit të mjeteve lundruese siç janë motorët e ujit, skafet, pedalonët dhe e gjithë gama që përdoret për aktivitet ekonomik turistik, është ngritur grupi i punës dhe po merret me identifikimin e këtyre pikave në çdo bashki bregdetare. VKM-ja për turizmin detar është miratuar në vitin 2020 dhe tashmë kemi të gjitha aktet nënligjore që na nevojiten. Dua të informoj se siç lidhen kontratat për stacionet e plazheve, ashtu do të bëhet edhe aplikimi dhe lidhja e kontratës me subjektet ekonomike që do të menaxhojnë këto “stacione parkimi” për turizmin detar”, u shpreh Kumbaro.

Gjithashtu, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit foli edhe për domosdoshmërinë e certifikimit të operatorëve turistikë.

“Po ashtu, operatorët e turizmit detar duhet të pajisen me certifikatë të posaçme nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, sepse pa këtë certifikim asnjë operator ekonomik s’do të mundet ta ushtrojë aktivitetin. Lista e subjekteve të certifikuara do t’i jepet Policisë Kufitare, që më pas të kontrollojë në terren. Aktualisht kemi 11 operatorë që duke përmbushur detyrimet janë certifikuar”, vijoi ajo.

Siç kishte lajmëruar edhe më herët, Mirela Kumbaro konfirmoi se i gjithë procesi i ndarjes së stacioneve të plazheve për vitin 2023, do të mbyllet brenda këtij viti.

“Aplikimet për menaxhimin e stacioneve të plazheve, sikundër edhe ato për stacionet e mjeteve lundruese do të nisin brenda vjeshtës së këtij viti me qëllim finalizimin e procesit deri në dhjetor”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.