Serrat janë fitimprurëse për 36-vjeçarin në Vrion të Sarandës

36-vjeçari Shefki nga Vrioni i Sarandës dikur punonte në ndërtim, por prej 6 vitesh ai i është kushtuar bujqësisë, mbjelljes në serra.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, solli shembullin e Shefkiut në rubrikën “Njerëzit e Bujqësisë”, si modelin që po kthehet në trend për shumë të rinj, të cilët po i rikthehen tokave të veta në zonat rurale dhe po angazhohen me punë në bujqësi, duke ngritur bizneset e tyre.

“Serrat janë fitimprurëse kur iu kushton kohë dhe kujdesesh”, tregon Shefkiu.

“Unë më përpara kam punuar në ndërtim, por ka rreth 6 vite që merrem me serrat”, tha ai.

Tani Shefkiu po merret me vjeljen e prodhimeve të para nga serra, që janë kryesisht domate dhe tranguj. Por ai siguron prodhim gjithëvjetor nga serrat e tij, me disa lloje produktesh një pjesë të konsiderueshme të të cilave e shet në treg.

Shefkiu është përfitues nga skema mbështetëse naftë falas për bujqësisë, gjithashtu edhe nga masa për subvencionimin e inputeve bujqësore, që e kanë ndihmuar atë të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisë të ardhurat në familjen e tij.

Skemat e subvencionit në bujqësi dhe programi IPARD, janë një fakt konkret i rritjes dhe zhvillimit të bujqësisë, në mbështetjen që i adresojnë fermerëve dhe sipërmarrjeve që operojnë në këtë sektor.

Me mbështetjen e AZHBR-së, janë ndërtuar deri më tani 80 serra të reja diellore moderne të teknologjisë së lartë në 12 bashki të vendit, disa prej të cilave janë shndërruar në komplekset më të mëdha të serrave krahasuar me vendet e rajonit.

Kryesojnë serrat model të kultivimit të fidanëve të perimeve, të prodhimit të perimeve të freskëta, në Fier, Lushnjë, Divjakë, Berat, Durrës, Vlorë teksa ato janë shtrirë edhe në Korçë e Delvinë.

Me mbështetjen e AZHBR nëpërmjet programit IPARD, fermerët gjithashtu janë mbështetur të investojnë në ndërtimin e serrave diellore të automatizuara, që ka nxitur punësimin, ka ndikuar në rritjen e prodhimit për eksport dhe rritjen e të ardhurave për familjet rurale.

Ndërkohë, nëpërmjet politikës së re të bashkimit të fermerëve, MBZHR ka financuar me 180 milionë lekë, 771 fermerë që prodhojnë në serra, perime, luleshtrydhe dhe vreshta.